Kryetari i Partise Demokratike, Sali Berisha në protestën e fundit e la disi evazive nëse do të kishte apo jo protesta para Kuvendit por protestat e opozitës do të vijojnë edhe para parlamentit.
Gjatë fjalës së tij dje në Këshillin Kombëtar tha se krahas përgatitjeve për protestën e 3 Marsit duhet të vijojnë dhe protestat para parlamentit. Për këtë arsye të enjten pritet që mbështetës të opozitës të jenë para Kuvendit për të protestuar.
Në seancën e ditës së nesërme nuk do të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Japoni për një vizitë zyrtare. Kujtojmë që Berisha ka bërë të qartë që demokratët do të vijojnë aksionin opozitar brenda dhe jashtë parlamentit.
Ndërsa ditën e djeshme Sekretariati i Etikës përjashtoi 6 deputetë të PD nga 3 ditë deri në 10 ditë. Kjo për shkak se nuk kanë lejuar zhvillimin normal të Kuvendit. Këtyre masave, përfaqësuesit e PD janë shprehur se do u përgjigjen me protesta.
Kryedemokrati Sali Berisha që nga momenti që vendosi me Kryesinë që më datën 3 Mars të zhvillohet protestë kombëtare ka kryer disa takime me strukturat e PD. Ai është takuar edhe me drejtuesit politikë të qarqeve ndërsa ditën e djeshme u takua me Këshillin Kombëtar. Fokusi në këtë mbledhje ka qenë tek protesta.
Berisha dha direktiva sa i përket kandidatëve të dala nga primaret. Ai kërkoi intensifikim të takimeve në terren.