Në një vjetorin e nisjes së luftës në Ukrainë, delegacione deputetësh nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian, kanë udhëtuar drejt Kievit për të shprehur mbështetjen e tyre. Në mesin e delegacioneve është edhe Shqipëria e cila përfaqësohet nga 3 deputetë, Pandeli Majko, Denis Deliu dhe Xhemal Qefalia.
Në një intervistë për “Panorama TV”, deputeti i PS-së, Denis Deliu ka treguar për takimet që ka zhvilluar në Parlamentin ukrainas. Ai tha se në Parlament u mbajt një konferencë e përbashkët me përfaqësuesit e të gjithë vendeve, ku pjesa më e madhe e diskutimeve u fokusua në presionin që këto shtete duhet t’i ushtrojnë Rusisë për t’u tërhequr nga kjo luftë.
Denis Deliu: Kemi bërë shumë takime me qytetarët. Në fshatrat dhe zonat ku ishim, jeta nuk ekzistonte më. Kishte shumë pak lëvizje. E gjtihë popullsia thuajse ishte larguar nga këto zona. Populli ishte i shqetësuar, ku nga informacionet që qarkullojnë, Rusia po përgatitet për një ofensivë tjetër. populli ukrainas ishte tepër i shqetësuar.
Uroj që Bjellorusia të ndjekë politikën e saj asnjëanëse. Nëse ajo do të pëërfshihet, do jetë një situatë për Ukrainën por edhe për vetë Bjellorusinë. NATO, SHBA dhe BE kanë marrë masa dhe po e ndihmojnë Ukrainën. Shumë ushtarakë të Ukrainës janë trajnuar në Angli, Gjermani për përdorimin e armëve të rënda, për përdorimin e këmbësorisë. Ushtria ukrainase ka rezistuar me sukses. Lidershipi i saj politik dhe ushtarak ka qëndruar në gatishmëri.
Sot ishim në Parlamentin ukrainas ku është mbajtur dhe një seancë në nderin tonë. Parlamenti mbrohej nga ushtria, me fortifikime në çdo kat në mënyrë që ligjvënësit të vijojnë punën e tyre. Të gjithë parlamentarët ku ne bëmë një konferencë të përbashkët me parlamentarët e Ukrainës dhe vendeve të BE-së, biseda konsistoi në presionin që këto vende duhet t’i ushtrojnë Rusisë.
Ukraina pret me padurim ftesën për në NATO dhe BE. Përsa i përket luftës, kjo do varet nga Rusia, nga shtetet që do marrin guximin t’ua thonë në sy që po bëjnë gabim. Politika në Rusi duhet të marrë një vendim që të pezullojë luftën dhe të ulet në marrëveshje.Po vriten njerëz të pafajshëm dhe pa të drejtë. Unë mendoj për një kapriço të Putinit. Ata besoj se do bëjnë një analizë të saktë dhe do ulen në marrëveshje.
Ervin Kukeli: Kemi një Rusi e cila ka dalë nga marrëveshja e traktatit të armëve bërthamore dhe do rrisin armët bërthamore. Kemi Kinën që kërkon një marrëveshje diplomatike. A mendoni se duhet nga SHBA një diplomaci?
Denis Deliu: Dalja nga traktati i marrëveshjes për ndalimin e armëve bërthamore është shqetësuese. E gjithë politika ruse votoi pro. Jam i bindur që çdo njeri i zgjuar dhe një formim modest e kupton se lufta bërthamore është vdekjeprurëse për të gjithë botën. Shpresoj që Kina dhe aleatët e Rusisë t’i bëjnë presion që kjo s’është rruga e duhur. Nuk na zgjidh punë apo nuk na bënë më të fortë duke u fuqizuar me armë bërthamore, pasi bëhen më të pakontrollueshëm. Shpresojmë për një zgjidhje diplomatike.