Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka nxjerrë zbuluar operacionin e policisë “Fijet e krimit” për çmontimin e kamerave anembanë vendit.
Karamuço tha në emisionin “Zonë e Lirë” se policia nuk ka ende të dhëna për shumicën e kamerave që ka sekuestruar. Ai deklaroi se blutë ende nuk e dinë ku janë serverat.
“Kamerat janë syri i botës së krimit për të na parë të gjithë ne. Edhe policia ka kamera, por jo në atë shtrirje gjeografike sa krimi i organizuar. Hoqëm kamerat, por pas tyre janë serverat, monitorët, vëzhduesit dhe organizatorët. Për shumicën nuk ka ende të dhëna se ku janë serverat.
Për disa është dyshuar dhe për disa janë bërë kallëzime. Për shumicën e këtyre kamerave nuk ka ende sot lidhje se ku janë serverat, ku është monitori, sallat operative. Kamerat janë me wireless dhe me panel diellor. Një kamer që vura re është Wise, të kap dhe të fikson deri në 2 kilometra. Kam dyshime të forta se disa prej këtyre kamerave, krimi i organizuar edhe për shkak të portofolit që ka, kanë një database që të bën jo vetëm fiksimin e fytyrës, por edhe njohjen e fytyrës”, u shpreh ai.
Më tej, ai theksoi se disa nga kamerat janë përdorur nga persona me precedent penalë, por policia nuk i ka hequr të gjitha.
“Fakti që këto u hoqën dhe disa prej personave janë ende në kërkim dhe janë dënuar për krime të rënda, tregon se kanë pasur për qëllim kryesor jo vetëm mbrojtjen e tyre por edhe për të parë rivalët e tjerë. E dimë që nëpërmjet këtyre kamerave të vendosura në vende publike janë bërë vrasje. Nuk ka pasur vëzhgues por nëpërmjet kamerës janë urdhëruar ekzekutorët. Ka shumë kamera të pahequra.“, theksoi Karamuço.