Gazetari Robert Papa deklaroi dje se në interpelancën e 2 marsit, kryeministri Rama pritet të jetë i kujdesshëm në deklaratat e tij mbi çështjen “McGonigal”. Gjatë një prononcimi për mediat, Papa theksoi dje se rasti ngre pikëpyetje te investitorët amerikanë, por edhe në vetë marrëdhëniet e Ramës me SHBA-të.
“Rama duhet të mendohet mirë. Çdo deklaratë padiskutim e dëmton. Ai e di se ku ka shkelur. Nuk mund të kesh mik një polic të FBI kur je kryeministër. Nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër. E ka përdorur për të luftuar kundërshtarët e vet. Rama e ka bërë edhe më parë. Pagatori i tij, Ahmetaj, del edhe këtu. Kur del Moska në mes, kjo është tronditëse, jo vetëm për besueshmërinë e investitorëve. SPAK duhet të fillojë hetimet. Këto shkrimet që janë paguar miliona dollarë, SPAK-u duhet t’i ndjekë. Ka ardhur koha t’i bëhet pyetja që ai i bënte Berishës: A e kalon dot oqeanin?”, deklaroi ai.
Ndërkohë në lidhje me çështjen “McGonigal” në SHBA, Papa theksoi se hetimet po thellohen.
“Nuk është gjyq, janë përgatitjet për gjyq. Hetimet po thellohen. Do ketë një dëgjesë në Senat më 1 mars. Dëgjova dikë që tha nuk ka asnjë kauzë. Është në akt-padi, McGonigal ka kryer hetime në favor të Ramës. Janë 13 akuza në Uashington ndaj McGonigal. Shtyrja e procedurës së gjyqit tregon se hetimet në Uashington janë më të thella. Pra, do të vijnë prova të tjera në gjykatë. Nga akuzat që ka për secilën është 20 vjet. Për të gjitha bashkë shkon në 120 vjet. FBI nuk do të ndalojë këtu. Personi A dhe personi B do të kenë probleme. Ka lidhje mes njerëzve të Ramës dhe atyre të Bashës. Ai mund të ketë edhe akuza për spiunazh. Ka fakte që është rekrutuar nga KGB, por duhet të jenë përtej dyshimit. Do të shikojmë ku do të marrë dënimin me të madh, Nju Jork apo Uashington”, u shpreh ai.
Më tej Papa shtoi se provat e deritanishme tregojnë se McGonigal është përgjuar gjatë vizitave në Tiranë.
“Nesër do të kem në emision gazetarin që bëri publik përgjimin në Londër. McGonigal mund të ketë qenë i survejuar edhe në Tiranë. Fakti që ka dalë në akt-padi, çfarë ka ndodhur me Ramën, e tregon këtë. Agjencitë e inteligjencës amerikane kryejnë detyrën e tyre”, nënvizoi Papa.