Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u pyet gjatë një interviste televizive dje, në lidhje me deklaratat e Arben Ahmetaj në një emision televiziv, ku ky i fundit i kërkoi kryeministrit Edi Rama të mos bëjë gjykatësin në lidhje me akuzat që aludohen ndaj tij. kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, tha se qëndrimi i kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste ka qenë i qartë për këdo, se kjo forcë politike nuk është zyrë avokatie e askujt që ka shkelur ligjin.
“Unë nuk e di kontekstin në të cilën e ka thënë zoti Ahmetaj, pasi nuk e kam ndjekur. Edi Rama dhe Partia Socialiste që në fillim kanë mbajtur një qëndrim që është tejet i qartë, Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie për askënd. Kjo është publike dhe me fakte. Ju e mbani mend dallimin mes Partisë Socialiste dhe kundërshtarit tonë. Sa herë që ngrihej një akuzë ndaj një deputeti apo kryebashkiaku të Partisë Demokratike, Partia Demokratike bënte gavetën dhe i çonte ushqimin, rasti i Xhelal Mziut, po se mbani mend”, tha Balla.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla diskutoi edhe rreth gjyqit të vulës së Partisë Demokratike më 3 mars. Ai u shpreh se opozita duhet të jetë e përgatitur, ndërsa theksoi se çështjet e tyre “familjare” t’i zgjidhin mes tyre dhe jo të përdorin foltoren.
“Uroj që opozita të jetë e përgatitur. Do ju kërkoj që ta ndiqni seancën plenare. Unë mendoj që kishte ardhur koha të zhvillonim një debat. Ajo që unë kam thënë është që uroj që data tre të gjej të qetësuar shpirtërisht dhe moralisht. Mendoj që çështjet e tyre brenda një familje ta zgjedhin dhe foltoren mos ta përdorin si instrument për çështjet e tyre”, deklaroi kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.