Kush është Ramazan Hutra që tronditi Tiranën me tri vrasje dhe tri plagosje brenda ditës?

Shqipëria

Kush është Ramazan Hutra që tronditi Tiranën me tri vrasje dhe tri plagosje brenda ditës?

Më: 2 mars 2023 Në ora: 10:33
Ramazan (Dan) Hutra

Vrasje, pengmarrje, përdhunime dhe vjedhje janë krimet e njëpasnjëshme që autori i tre vrasjeve që tronditën Tiranën ditën e djeshme, Ramazan (Dan) Hutra ka kryer në 20 vite.

I arrestuar pas disa orësh në arrati në zonën e Sharrës, në periferi të Tiranës, 41-vjeçari mori vëmendjen e opinionit publik në Shqipëri me krimet e tij tejet të rënda.

Masakra e ndodhur të mërkurën në Tiranë, ku në tre ngjarje të ndryshme u vranë tre gra dhe u plagosën tre gra të tjera ishte krimi i fundit nga një seri krimesh të shkaktuara nga Huta.

Sipas informacioneve të policisë. në orën 12:15 të ditës së Mërkurë, Dan Hutra plagosi 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në rrugën “Teodor Keko” në mbikalimin e Pallatit me Shigjeta.

Pas kësaj autori u largua me makinë dhe rreth orës 12:35 ka shkuar në Kodër Kamzë në banesën e ish-bashkëjetueses, ku ka vrarë Mevlute Hysa 30 vjeçe (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses), si dhe ka plagosur Elena Hysa, 35 vjeçe ish-bashkëjetuesja e autorit të dyshuar dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe, nëna e saj.

Pas kësaj, Dan Hutra ka lëvizur në rrugën e Arbrit, Bathore, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja” dhe rreth orës 12:48 ka ndaluar tek banesa e familjes Kurti ku ka vrarë Etleva Kurti 31 vjeç, e cila u gjet e vdekur në oborrin e banesës.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një konferencë për shtyp pas vrasjes së trefishtë tregoi krimet që ka kryer më parë nga Hurta.

“Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga Policia e Durrësit dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga Policia e Durrësit, për tentativë vjedhje banesash”, tha Vocaj.

“Gjithashtu, ky shtetas më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023″, theksoi Vocaj ndër të tjera.

Në anën tjetër janë ngritur dyshime në sistemin e drejtësisë për mënyrën se si autori krimit ka arritur të lirohej nga burgu.

Përmes një njoftimi, nspektori i Lartë i Drejtësisë shprehet se ka urdhëruar nisjen e verifikimit të rastit për të identifikuar, nëse ka, përgjegjësi disiplinore nga ana e magjistratëve.

“Inspektori i lartë i Drejtësisë po ndjek me vëmendje komunikimet në media mbi ngjarjen tejet të rëndë të ndodhur sot në Tiranë, ku tre grave iu mor jeta dhe tre të tjera u plagosën, nga një individ i dënuar më parë për vrasje. Sic ka vepruar edhe në raste të tjera të ngjashme me ndjeshmëri të lartë publike, Inspektori i Lartë i Drejtësisë bën të ditur, se ka urdhëruar nisjen e verifikimit të rastit për të identifikuar, nëse ka, përgjegjësi disiplinore nga ana e magjistratëve”, thuhet në njoftimin e ILD-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat