Flamuri kombëtar shqiptar u ul këtë të diel në gjysëm shtizë në selitë diplomatike në Greqi, ndërkohë që në Shqipëri po mbahet një ditë zie kombëtare për viktimat e aksidentit të trenave në Greqi.
Autoritet shqiptare kanë konfirmuar zyrtarisht se mes 57 viktimave nga përplasja e një treni udhëtarësh me një tren mallrash, 6 prej tyre janë shqiptarët: Klaudia Lata, Ifigjenia Micka, Erieta Molko, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi dhe Pavlin Bozo.
Dy shqiptarë të tjerë Roberto Dristi 25 vjeç dhe Anisa Liuri 23 vjeç po marrin trajtim në Qendrën e Mjekimit Intensiv në Larisa për shkak të plagëve në këtë aksident.
Autoritet greke njoftuan të dielën se përfunduan kontrollet në laboratorët e Drejtorisë së Hetimeve Kriminale të të gjitha mostrave të materialit biologjik që ishin mbledhur nga forcat e zjarrfikësve në vendin e aksidentit dhe konfirmimi zyrtar vijon të mbetet për 57 të vdekur.
Sipas Policisë greke në laboratorët e mjekësisë ligjore kanë mbërritur gjithsej 107 mostra nga trupat e pajetë dhe nga material njerëzor në vendngjarje dhe nga momenti i parë deri të dielën hetimi ka identifikuar me testin e ADN, 55 të vdekur.
Sipas autoriteteve një nga viktimat mbetet ende e paidentifikuar dhe për viktimën tjetër nuk është paraqitur interesim nga familjarë apo të afërm dhe dyshohet se është shtetas i huaj.
Në vendin e aksidentit pasi janë hequr të gjitha vagonët dhe mbeturinat nga përplasja e tmerrshme mes dy trenave dhe sipas autoriteteve ka mbetur një kontroll përfundimtar për çdo material biologjik në terren.
Ndërkohë përgjegjësi i stacionit të Larisës u paraqit mëngjesin e së dielës në Prokurori nën masa të rrepta sigurie. Ai po ndiqet penalisht për vepër penale të vrasjes nga pakujdesia, pasi lejoi që dy trenat të përfshiehshin në të njëtën linjë hekurudhore duke u pëprlasur kokë më kokë me njëri tjetrin.
Sipas avokatit të tij ai ka pranuar “pjesën e përgjegjësisë që i takon", ndërsa legjislacioni grek parashikon dënime nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm për këtë vepër penale.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis të dielën kërkoi falje për aksidentin.
Kryeministri grek tha se “Drejtësia do të hetojë shpejt tragjedinë dhe do të caktojë përgjegjësinë pasi në Greqinë e 2023-ës nuk është e mundur që dy trena të lëvizin në drejtim të kundërt në të njëjtën linjë dhe askush nuk e ka vënë re”.
“Nuk mundemi, nuk duam dhe nuk duhet të fshihemi pas gabimit njerëzor”, u shpreh Mitsotakis./VOA