Policia e Tiranës ka konfirmuar se nga aksidenti i rëndë mbrëmjen e sotme tek mbikalimi i Saukut kanë humbur jetën dy persona, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas policisë, shtetasi me iniciale Q.K ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga dhe më pas është rrëzuar nga mbi kalimi, mbi kofanon e një automjeti tjetër.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 09.03.2023, rreth orës 18:05, shtetasi Q. K., duke drejtuar automjetin, në unazën lindore dyshohet se duke dalë për tek rrethrrotullimi i Tegut, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga mbikalimi, mbi kofanon e një automjeti tjetër.
Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetase femra, si dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasit Q K., O. K., dhe K. R., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Mbi rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, dhe për gjendjen shëndetsore të të dëmtuarve në spital, do të keni njoftim në vijim.