Regjistrimi i PD-së/ Sekretarja e PL-së tregon bashkëpunimet e Alibeajt për situatën në PD

Shqipëria

Regjistrimi i PD-së/ Sekretarja e PL-së tregon bashkëpunimet e Alibeajt për situatën në PD

Më: 10 mars 2023 Në ora: 19:36
Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj

Sekretarja e Partisë së Lirisë për Marrëdhëniet me Publikun, Silva Caka e konsideron të qëllimtë të gjithë ngërçin e krijuar për regjistrimin e PD-së në KQZ pas vendimit për vulën.

Në një intervistë për “Panorama TV”, Caka ka akuzuar grupimin e Enkelejd Alibeajt për bashkëpunim me Ramën, që sipas saj, kanë sjellë dhe situatën ku ndodhet sot PD-ja. Duke u ndalur tek zgjedhjet vendore, Caka theksoi rëndësinë për ndryshim në këshillat bashkiakë.

Sipas saj, në të gjithë vendin janë 21 bashki të falimentuara dhe kjo vjen edhe si pasojë e keqfunksionimit të këshillave bashkiakë.

Silva Caka: Janë këshillat vendor që vendosin për përditshmërinë e të gjithë qytetarëve. Afektojnë jetën e çdo banori në Shqipëri. Tirana ka pasur problematika të jashtëzakonshme përsa i përket betonizimit, pastrimit të parave përmes ndërtimit të kullave. Kemi një kryetar bashkie që ka firmosur shpeshherë pa marrë parasysh mendimin e këshillit bashkiak.

Për aq kohë sa kemi një Parlament që nuk funksionon, nuk merr asnjë iniciativë ligjore të propozuar nga opozita. Nuk pranon as komisionet hetimore, atëherë në këto kushte kur s’kemi një Parlament, mendoj që këshillat bashkiakë, dhe sidomos kur ekziston bindja që do fitohen shumica e tyre, kthehet në një përgjegjësi shumë të madhe.

Pyetje: Fakti që PL do hyjë në zgjedhje vetëm përmes këshilltarëve, po kandidatët për kryetarë bashkie…

Silva Caka: Kemi 61 kandidatë për kryetarë bashkie të dalë nga procesi i primareve. Ne mbështesim të gjithë kandidatët. S’ka ndarje mes asnjërit. Kemi kandidatët tanë në këshillat bashkiakë.

Pyetje: Dua të mbetemi tek situata e krijuar në KQZ. Asnjë prej grupimeve të PD-së nuk është regjistruar për zgjedhje. Si e keni pare të gjithë këtë situatë?

Silva Caka: Unë me thënë të drejtën, pak ditë para se të fillonte ky proces, kam thënë se do jetë për turp të KQZ-së nëse do marrin në shqyrtim një dokumentacion të parregullt. PD është zgjedhur nga vetë demokratët, kreu i tyre është Sali Berisha. Unë nuk parashikoj që të ketë ndonjë lloj cipe në faqe nga Lulzim Basha dhe të mos bëjë nga ato të pabërat e veta. S’do ishte çudi. Nga ato që bën gjithmonë. Edhe ai autorizimi që kishte dhënë, si mund ta japësh para 1 viti. Kur një funksionar politik është i zgjedhur, s’mund t’ia kalojë kompetencat një personi tjetër. S’mund të jetë autorizim i përgjithshëm. Kjo është një betejë ku demokratët nuk do e lënë me kaq, do e vijojnë në rrugë gjyqësore dhe politike.

Pyetje: A duket e qëllimshme nga grupi i Alibeajt për situatën e krijuar në PD?

Silva Caka: Është bashkëpunim ai. 17 maji vazhdon të ketë pasojat dhe efektet e veta. Nëse mund të pyes, për çfarë arsye një kancelar në gjykatën e shkallës së parë nuk regjistron vendimin e marrë. Çdo vendim regjistrohet në regjistër. Pse nuk është reflektuar vendimi i gjyqtarit Zhukri. Faktet e njohura botërisht s’ka nevojë për provë shkencore. Kancelari i një gjykate është punonjës i caktuar nga Ministri i Drejtësisë, dhe me urdhër nuk ka regjistruar vendimin e gjykatës. Sikur edhe të duash të kesh një sy pozitiv për grupin e Alibeajt, nuk mundesh pasi në çdo moment e vërtetojnë që janë bashkë me Edi Ramën.

Unë mendoj që 14 maji është oportunitet për shqiptarët për t’i çrrënjosur mentalitetin politik në Shqipëri. Nga 61 bashki në gjithë Shqipërinë, të faktuara që kanë falimentuara janë 21 bashki. Të tjera janë në pritje. Të falimentojë një bashki si ajo e Kavajës? Është e pakonceptueshme. Ka shumë të tjera që janë në prag të falimentimit. Është rrjedhojë e hajdutërisë. 4 vitet e fundit janë të mjaftueshme që qytetarët ta kenë kuptuar se nga kush qeverisen. Për çdo akuzë, të gjitha kamerat drejtohen nga mazhoranca. Shqiptarët e dinë çfarë mban kazani i madh që quhet mazhorancë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat