Tritoli në Lezhë, deputetja e PD: E vunë nga inati i mitingut entuziast të Sali Berishës

Shqipëria

Tritoli në Lezhë, deputetja e PD: E vunë nga inati i mitingut entuziast të Sali Berishës

Më: 13 mars 2023 Në ora: 14:50
Deputetja e Partisë Demokratike, Lindita Metaliaj

Deputetja e Partisë Demokratike, Lindita Metaliaj, e quajti sulm terrorist shpërthimin e tritolit në banesën e Preng Pjetrit në Ungrej të Lezhës, të zgjedhur si kryetar të PD në këtë fshat nga Rithemelimi.

“Z. Pjetri ka qenë në banesë me bashkëshorten dhe nënën e moshuar kur ka ndodhur shpërthimi. Akti terrorist i mesnatës të bën të dyshosh për pistën e hakmarrjes politike. Takimi entuziast në Lezhë i kryetarit të PD Sali Berisha në prezantimin e kandidatit për Kryetar Bashkie, Pashk Gjoni, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i seksionit Ungrej, Pjetri, me shumë bashkëfshatarë, ka angazhuar me sulme verbale shumë patronazhistë e aktivistë të Rilindjes dhe të emëruarit 6% në krye të Bashkisë Lezhë”, tha Metaliaj përmes një postimi në Facebook, ku publikoi edhe një video nga shtëpia e dëmtuar.

“Dhuna verbale pasohet gjithmonë nga dhuna materiale. Ndërkohë që nuk duam të arrijmë në përfundime, i bëjmë thirrje policisë dhe strukturave ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre, të hetojnë dhe të çojnë pas hekurave si dorasët ashtu dhe porositësit e këtij akti terrorist. E dënojmë burracakërinë e vendosjes së eksplozivit në shtëpinë e z. Pjetri, një akt kundër ligjeve të shtetit dhe Kanunit të maleve.

Demokratëve dhe qytetarëve të Lezhës u bëjmë thirrje të mos kenë frikë. Ata që duan të mbjellin panik janë në panik nga humbja e sigurt me 14 maj, dhe atë ditë do të marrin edhe përgjigjen që meritojnë nga vota juaj”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat