Ish-ministrja e Mbrojtjes, aktualisht Ministre e Jashtme, Olta Xhaçka, dëshmoi sot në Prokurorinë e Posaçme, në lidhje me dy çështje penale për të cilat është kallëzuar. Një kallëzim është bërë nga opozita, që ka të bëjë me përdorimin e helikopterëve në fushatë elektorale. Ndërkohë tjetri është një kallëzim që lidhet me privatizimin e bazës së Limionit në Sarandë.
Gazetari Armand Bajrami ka dhënë detaje në lidhje me kallëzimet si dhe ka deklaruar se baza e Sarandës është ngrirë nga SPAK duke mos lejuar përdorimin apo tjetërsimin e saj.
Ndërkohë ish- kreu i krimeve të Rënda Eugen Beçi tha se marrja e një veprimi të tillë nga SPAK tregon se prokuroria ka gjetur tashëm elemente të veprës penale dhe se e vetmja gjë që ka mbetur është lidhja e emrave me veprat përkatëse.
Pjesë e diskutimit në studio:
Bajrami: Dy kallëzime po merren persona në pyetje.
Kallëzime nga Artur Meçollari, kallëzime për tjetërsime të paligjshme të gjireve detare nën juridiksionin e ushtrisë, një bazë në Sarandë dhe një në Shëngjin.
Baza e Shëngjinit, bëhet fjalë për një ndërtim privat i ndërtuar brenda rrethimit. Ndër personat e kallëzuar është edhe presidenti Bajram Begaj.
Baza e Sarandës është sekuestruar, pra është ngrirë, nuk mund të tjetërsohet dhe përdoret.
Beci: Fakti që SPAK ka vepruar me sekuestro, kallëzimi është regjistruar si procedim, është paraqitur para gjykatës, pra prokuroria ka evidentuar elementë të veprës penale, ngel vetëm vënia e emrave që lidhen me veprën.