Avokat Spartak Ngjela, ka qenë i ftuar në një lidhje Skype në emisionin “Lufta dhe Paqja”, të gazetarit, Artur Zheji në ABC News, ku komentoi ngjarjen e fundit që u regjistrua në Detin e Zi, ku një dron amerikan u godit nga avionët rusë.
Ngjela shprehet se nuk mund të nisë një konflikt mes ShBA-së dhe Rusisë, sepse sipas tij diferencat ushtarake janë shumë të mëdha.
Në lidhje me shqiptarët dhe marrëdhënien me ShBA-në, Ngjela është shprehur se nuk ka shqiptarë anti-amerikanë.
Pjesë nga biseda në studio:
Ngjela: Palmerson ka thënë se politika është interes. Pyetje bëhet kështu, cili është interesi shqiptar dhe ai amerikan.
Interesin shqiptar e treguam, interesi amerikan me aq sa di unë është se nëse ShBA-ja nuk ka aleancë të plotë me botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, e ka të vështirë luftën me Rusinë.
Mos harroni se edhe austro-hungaria na formoi si shtet kundër Rusisë. Shqiptarët janë autoktonë, tjerët janë të ardhur.
Në luftërat kastriotiane kanë qenë 4 milionë shqiptarë në Ballkanin Perëndimor dhe 4 milionë anglezë. Sot janë 48 milionë anglezë dhe 6 ose 7 milionë shqiptarë në Ballkanin Perëndimor. 7 milionshi që ka shpëtuar është nga popujt me rezistencë, por me një aleancë të madhe dhe me luftëtarë të mëdhenj që erdhën deri në Luftën e Dytë Botërore.
Zheji: Të jesh anti-amerikan për një shqiptar, cfarë do të thotë?
Ngjela: Nuk ka në botën shqiptare, shqiptar anti-amerikan nuk ka. Anti-amerikanët në Kosovë nuk janë shqiptarë dhe dihet se çfarë janë.
Anti-amerikanët që janë në Shqipëri, nuk janë autoktonë, por janë të ardhur.
Zheji: Përshkallëzimi po merr drejtime të panjohura, pozicionimi i shqiptarëve?
Ngjela: Konflikti amerikano-rus nuk mund të ndodhë. Diferenca e fuqive është shumë e madhe. Lufta fillon kur palët janë të barabarta nga forca ushtarake.
ShBA ka mbi 20 flota në bota, sa flota ka Rusia? Vetëm 1.