Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj në konferencë për shtyp ka reaguar në lidhje me finalizimin me sukses pas një hetimi tremujor të operacionit policor të koduar “Harta”.
Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti janë finalizuar 5 procedime proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë, janë mbi 6 kilogramë kokainë e heroinë dhe rreth 80 kilogramë kanabis, si dhe janë vënë në pranga mbi 20 persona .
Deklarata e plotë:
Jam sot këtu së bashku me Zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar, Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë dhe shefin e Sektorit të Krimit të Organizuar, për të bërë prezente rezultatet e megaoperacionit të koduar “Harta”, në kuadër të të cilit u goditën dy grupe që shpërndanin lëndë narkotike kanabis, heroinë e kokainë në zona të ndryshme të Tiranës, në lokale nate si dhe afër shkollave.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në inteligjencën informative për dy grupe personash që vepronin në formën e grupeve kriminale duke e ushtruar veprimtarinë kriminale në fushën e narkotikëve, në muajin janar kanë referuar materialet në Prokurori e cila ka regjistruar dy procedime penale në fushën e narkotikëve.
Pas një hetimi tremujor, me metoda speciale të hetimit nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të dy grupeve që përbëheshin nga 24 persona.
Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Harta”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga 20 persona si dhe u shpallën në kërkim 4 të tjerë.