Në emisionin “Open” me gazetaren Eni Vasili, po diskutohet në lidhje me sulmin e mbrëmshëm në Top Channel, ku humbi jetën roja Pal Kola.
I ftuar në studio, analisti Arjon Sulo e ka quajtur aktin një sulm ndaj medias, një prej shtyllave të demokracisë, ndërsa shtoi se krimi ka shkelur vijën e kuqe. Ai shtoi se krimi tashmë nuk ka frikë nga ndëshkimi, sepse qeverinë e ka “në xhep”.
Sulo shtoi se thirrjet për zbardhjen e ngjarjes, nuk janë gjë tjetër veçse qoka e radhës sepse krimi ka arritur në nivele të rrezikshme sa nuk pyet për askënd.
“Media është një nga shtyllat e demokracisë, kur goditet ajo ngjarja është shumë serioze.
Krimi ka kaluar vijën e kuqe, aty është vrarë një i pafajshëm.
60-vjeçari nuk ishte vetëm një roje, ishte punonjës i një televizioni kombëtar.
Në atë orë ka mbaruar turni punë minutash dhe ka qenë në punë një tjetër ekip.
Aty ka pasur teknikë e punonjës të tjerë. krimi merr përsipër të godasë median me gazetarë brenda e të vrasë të pafajshëm. Dikur thonim dinë ku të qëllojnë, por tani jo. Sot po godasin objektivat pa llogaritur dëmet anësore dhe qytetarët e pafajshëm. Kemi Pal Kolën që humb jetën pa pasur asnjë lidhje, kemi kamerieren e vrarë në Don Bosko, 10-vjeçaren e plagosur. Kemi një kalim të limiteve sepse është kaluar vija e kuqe me mediat, goditet kur shembet me tritol, kur konfiskohet, kur mbyllet.
Krimi po merr revansh sepse qeverinë e ka në xhep sepse nuk e lufton, legjislativi nuk e dënon, e mbetet media që tani po goditet. Apeli i të gjithë institucioneve ndërkombëtare e kombëtare sot për të zbardhur sa më parë ngjarjen është një qokë e radhës sepse krimi ka arritur në nivele të rrezikshme sa nuk pyet për askënd”, tha ai.