Policia e shtetit jep një shumë rekord shpërblimi prej 100 mijë eurosh për të gjithë ata që japin informacion të saktë ndaj sulmit me armë zjarri në drejtim të godinës së Top Channel ku mbeti i vrarë roja 60-vjeçar, Pal Kola.
Nëpërmjet një deklarate, Policia e Shtetit jep edhe gjithnjë kronologjinë e ngjarjes dhe të gjitha provat e grumbulluara deri më tani rreth të shtënave me breshëri plumbash në orët e hershme të mëngjesit të së hënës. Përveç fasadës nga breshëria e plumbave janë dëmtuar edhe dy automjete të parkuara. Nge hetimet rezulton se automjeti i autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë, në zonën e Kasharit.
Ky automjet ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri. Pas të shtënave, autorët kanë ndjekur të njëjtin itinerar. 25 minuta pas të shtënave, policia e Kavajës ka marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait”.
Në kuadër të hetimeve, janë sekuestruar 25 gëzhoja model 56, 5 predha dhe 9 copëza predhash municioni luftarak. Sakaq, pranë automjetit të djegur është edhe një gëzhojë model 56, ndërsa brenda tij dy kallashë AK-47. Atje janë gjetur edhe 4 gëzhoja model 56 të plasura si pasojë e djegies etj. Policia sqaron se të dyja armët e zjarrit janë përdorur gjatë sulmit, përkatësisht 20 plumba nga njëra dhe 6 nga tjetra.
Në kuadër të këtyre hetimeve, janë pyetur disa persona si në Kavajë dhe në Vlorë. Midis të shoqëruarve në qytetin bregdetar ishte edhe Roberto Papçi, ish-dhëndri i viktimës dhe Agustin Tonaj. Ndaj tyre nuk është gjetur asnjë provë dhe më pas janë liruar.
Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10 korrik të vitit 2020, në fshatin Tale të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi nga Kosova, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës.