“Pse më sheh?”, kjo frazë e shkëmbyer mes Armand Gosës dhe Sali Rexhës, nxiti konfliktin mes tyre që fatkeqësisht i shkaktoi dhe vdekjen të dyve.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se mes dy viktimave dhe më herët ka patur përplasje verbale po për konflikte banale, por mbrëmjen e së mërkurës kulmoi në përdorimin e armëve.
43-vjeçari Sali Rexha që më herët ka mbajtur emrin Altin po qëndronte në lokalin në afërsi të shtëpisë së tij me qira në zonën e Valutës në Kavajë, kur ka mbërritur Armand Gosa.
Fillimisht ata janë konfliktuar verbalisht, derisa Gosa ka nxjerr thikën dhe ka qëlluar Sali Rexhën. Ky i fundit ndonëse me vete ka patur dhe fëmijën e tij, nuk është shmangur por ka nxjerr pistoletën dhe e ka qëlluar.
Si pasojë e plagëve të marra, të dy 43-vjeçarët kanë humbur jetën. Armand Gosa jetonte në Kavajë ndërsa viktima tjetër Sali Rexha ishte me origjinë nga Kukësi. Prej një viti ishte vendosur në këtë banesë në qytetin e Kavajës.
Sali Rexha nuk njihej nga fqinjët si person problematik, ndryshe nga viktima tjetër, 43-vjeçari Armand Gosa. Ky i fundit rezulton me precedent penal për plagosje.