Kryeministri Edi Rama ka reaguar me zemërim ndaj vendimit të një organizate arbitrazhi ndërkombëtar të financuar nga Banka Botërore për t’i dhënë rreth 110 milionë euro dëmshpërblim një biznesmeni italian, i cili pretendonte se ishte i përndjekur politik në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama tha në një konferencë për shtyp të premten se vendimi i Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, ICSID për t’i dhënë biznesmenit italian Francesco Becchetti rreth 110 milionë euro dëmshpërblim ishte “skandaloz” dhe tha se Shqipëria mund të largohej nga organi si përgjigje e këtij vendimi.
Rama u ankua se “një kriminel i dënuar me 17 vite burg për mashtrim ndaj shtetit shqiptar arriti të ketë sukses me një gjykatë me të cilën do të fillojmë të krijojmë probleme, duke filluar nga java e ardhshme”.
“Ne po analizojmë mundësinë e daljes nga juridiksioni i saj sepse ajo që ndodhi është skandaloze”, shtoi ai.
Biznesmeni Becchetti pretendoi në vitin 2015 se qeveria e Shqipërisë, e udhëhequr nga Rama, sekuestroi në mënyrë të paligjshme asetet e tij, duke përfshirë një stacion televiziv, për shkak se media e tij ishte kritike ndaj autoriteteve.
Becchetti u dënua me 17 vjet burg në mungesë nga një gjykatë në Tiranë në shkurt 2022 për pastrim parash në lidhje me një skemë të dështuar hidroelektrike. Autoritetet britanike refuzuan ekstradimin e tij në Shqipëri.
Becchetti ka paraqitur disa pretendime në ICSID kundër Shqipërisë, shumica e të cilave u hodhën poshtë si të pabaza, përveç sekuestros se paligjshme.
Rrethanat e vendimit dhe argumentet mbi të cilat është bazuar nuk janë bërë publike.
Megjithatë, politikanët e opozitës në Shqipëri pretendojnë se Rama e ka ndjekur penalisht Becchettin në mënyrë të paligjshme për të fituar kontrollin mbi peizazhin mediatik të vendit.
Pas njoftimit të Ramës se ai mund të tërhiqte Shqipërinë nga juridiksioni i ICSID, Sali Berisha e kritikoi atë si të barabartë me shmangien e organizatave financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Unë e dënoj deklaratën e tij me termat më të ashpër”, tha Berisha.
Disa kompani të huaja kanë paraqitur pretendime pranë ICSID kundër Shqipërisë, me rezultate të përziera. Disa janë hedhur poshtë si të pabaza, por të tjerët kanë çuar në shpërblime të mëdha kompensimi. Ministria e Financave ka akorduar rreth 156 milionë euro për të bërë pagesat, përfshirë edhe atë të Becchettit.
ICSID është pjesë e Grupit të Bankës Botërore dhe bazohet në një konventë të OKB-së të vitit 1966 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të investimeve ndërmjet shteteve dhe shtetasve të shteteve të tjera. Konventa është ratifikuar nga rreth 140 vende, përfshirë Shqipërinë.