Një delegacion i Komsionit për Arsim është pritur nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Kryeparlamentarja Nikolla, vuri në dukje se dukje se “bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është në ditët e tij më të mira dhe bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës, teknologjisë, kulturës, medias dhe sportit mes dy Kuvendeve dhe mes Shqipërisë e Kosovës, është një faktor i rëndësishëm për kohezionin kombëtar. Ky bashkëpunim nuk është vetëm vëllazëror, por përmbajtësor.”
Me këtë rast u bë e ditur se bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kosovës në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës është intensifikuar dhe se hartimi i “Enciklopedisë Shqiptare” ka filluar si një vepër e përbashkët e dy Akademive dhe e shkencëtarëve nga Shqipëria dhe Kosova.
“Bashkëpunimi në fushën e teknologjisë, sidomos teknologjisë së informacionit, në kushtet e sotme kur shumica dërmuese e shërbimeve publike ofrohet online dhe rrezikut të terrorizmit kibernetik, mbetet gjithashtu një prioritet”, u tha ndër të tjera.
Kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola, si edhe anëtarët e Komisionit falënderuan kryeparlamentaren shqiptare Lindita Nikolla, për mbështetjen e bashkëpunimit dhe vunë në dukje se bashkëpunimi mes dy Kuvendeve është shumë i rëndësishëm për nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve.
“Të dy komisionet respektive po nxisin bashkëpunimin mes Akademive, universiteteve dhe institucioneve shkencore, sidomos në fushën e albanologjisë”, u tha aty.
Po ashtu u theksua se sporti është gjithashtu një faktor i rëndësishëm i kohezionit kombëtar, ku u përmend fakti se para pak ditësh, kampionet e Kosovës, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi u bënë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.