Enea Cenko, avokati i 28-vjeçares të marrë peng dhe të dhunuar nga partneri i saj, në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, thotë se e dhunuara ka ardhur nga Gjermania në Tiranë javën e parë të muajit Prill. Dhe në javën e dytë, sipas tij, ka nisur dhuna ndaj 28-vjeçares.
Ai theksoi se e dhunuara është kthyer nga Gjermania për të jetuar me partnerin e saj, madje të dy kishin caktuar dhe ditën e dasmës.
“Ngjarja ka ndodhur javën e dytë, vajza është dhunuar sistematikisht. Javën e dytë është marrë peng sepse i është hequr telefoni, por është dhunuar në mynyrë barbare sistemitikisht duke i marrë çelësin e shtëpisë. Asnjë mundësi nuk kishte për të njoftuar policinë. Vajza vazhdimisht ka kërkuar të largohet nga shtëpia por ka qenë e pamundur se është torturuar. Veprimet që ka bërë duke kaluar 4 gishtat në fytin e vajzës kanë qenë torturuese. Sipas vajzës, është detyruar në mënyrë herë pas here për të pirë kokainë. Vajza ka punuar në Gjermani si infermiere, është me arsim të lartë, me pasaportë gjermane. Është njohur me partnerin në Gjermani në spitalin që ka shkuar sepse është detyruar të përkthejë. Ka pasur probleme të shumta, edhe në Gjermani ka shkuar në situata të shumta dhune por nuk është denoncuar nga vajza pasi e donte dhe kishte dhe frikë. Aktualisht nuk ka punuar. Ka pasur raport edhe me familjarët e të kallëzuarit. Kanë prerë dhe ditën e dasmës. Jo më kot ka bërë që vajza të vinte këtu”, u shpreh avokati.
Sipas këtij të fundit, shkak i ngjarjes ka qenë fakti që partneri i 28-vjeçares dyshonte se kjo e fundit kishte bërë një kallëzim në policinë gjermane ndaj tij, e për këtë arsye ai nuk shkonte dot në Gjermani.
“Shkaku i dhunës i ka theksuar që ti më ke bërë kallëzim penal në Gjermani. Ndërkohë që vajza nuk ka bërë asnjë kallëzim. Në momentin që djali ka telefonuar kushërirën e tij, aty automatikisht vajza ka përfituar dhe i ka thënë kushërirës së të kallëzuarit që më duhet menjëherë ndihma juaj. Kushërira e ka shpëtuar, kunatin dhe një kushëri i këtij personi. Vajzën, sipas raportimeve, është dërguar nga motra e personit dhe një kushërirë e këtij shtetasi ku është dërguar në spital në gjendje të rënduar. Aktualisht po merr mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ne mendojmë që kemi të bëjmë me vrasje të mbetur në tentativë, rrëmbim dhe një sërë veprash të tjera penale”.
Avokati shprehu gjithashtu shqetësimin se pas 24 orësh, 28-vjeçarja nuk është kontrolluar ende nga mjeku-ligjor për dhunën e ushtruar.
“Eksperti mjeko-ligjor nuk ka ardhur, kanë kaluar më shumë se 24 orë, dhe kërkojmë mbështetje me psikolog nga ana e shtetit”, u shpreh avokati.