“Më drogonte dhe më rrihte me këmbën e karriges”- Detaje të reja nga rrëfimi tronditës i vajzës që u mbajt peng dhe u dhunua nga i dashuri

Shqipëria

“Më drogonte dhe më rrihte me këmbën e karriges”- Detaje të reja nga rrëfimi tronditës i vajzës që u mbajt peng dhe u dhunua nga i dashuri

Më: 18 prill 2023 Në ora: 08:20

“Më drogonte, më rrihte dhe më pas më kërcënonte me një thikë. Më thoshte se do të hakmerrej për atë që i kishin bërë prindërit e saj”! Ky është rrëfimi i vajzës së mbajtur peng dhe të dhunuar për ditë me radhë në katin e pestë të një pallati në afërsi të qendrës së Tiranës.

Ajo, me aq sa mundet të kujtojë, e mban mend që të paktën 5 herë e ka detyruar të marrë edhe ajo drogë, ndërsa vetë konsumonte çdo ditë. Vajza ka mundur të shpëtojë falë dy vajzave të tjera, ndërkohë që avokati mbrojtës ka dalë ditën e djeshme dhe publikisht i ka kërkuar Policisë mbrojtjen e jetës së saj, pasi tashmë ajo është në rrezik.

Po ashtu, avokati ka kërkuar që t’i ndryshohet akuza dhunuesit të saj, duke shtuar edhe atë të tentativës së vrasjes. Por akuzat do të merren vesh ditën e sotme kur agresori dhe 4 shokët e tij të dalin para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë në lidhje me aktin barbar të dhunimit të së resë, e cila ka braktisur familjen për djalin e ëndrrave të saj.

Njohja

28-vjeçarja e identifikuar si R., mësohet se ishte e arsimuar dhe punonte si infermiere në Gjermani, u njoh me Gleard Gushollin, i cili më pas e bëri të përjetojë ditët më të errëta të jetës, aq sa tentoi vetëvrasjen. Asaj iu ‘verbuan’ sytë nga dashuria dhe erdhi të krijonte familje me të në Tiranë, por u mbajt peng për 1 javë në shtëpi nga i dashuri që e dhunoi barbarisht. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të zonës së ish-Parkut të Autobusëve, në rrugën “Frosina Plaku”. E reja arriti të shpëtojë falë dy vajzave, të cilat e çuan në spital, ku ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe ka rrëfyer gjithçka ndodhi me të dashurin që u arrestua mëngjesin e djeshëm.

Sipas saj, dhuna kishte nisur që në Gjermani, ku e mbajti në shtëpi, por prindërit e përzunë pasi nuk e pranonin sjelljen agresive ndaj së bijës. Kishin një vit e gjysmë që ishin njohur dhe 3 muaj pas ndarjes nisën sërish të komunikonin. 28-vjeçarja thotë se erdhi në Tiranë që të krijonte familje me të, por ai kishte synim që ta bënte të përjetonte tmerr dhe donte të hakmerrej ndaj saj.

Në rrëfimin që bëri para mediave tregoi se e ka detyruar të konsumojë drogë, e torturonte duke e rrahur me këmbë karrigeje, i fuste gishtat në fyt dhe tentonte ta mbyste në dush. E rënduar psikologjikisht dhe fizikisht, thotë se nuk po duronte dot më dhe donte të ndërmerrte aktin ekstrem, por nuk e linte partneri që të dilte jashtë.

Dëshmia

“Kam tentuar disa herë të hidhesha nga ballkoni se nuk e duroja dot më. Më gjuante me grushte e me shkop. Më nxirrte thikën, ma mbante te këmba, më thoshte do ta çaj barkun. I lutesha të më hapte derën. Nuk më do, mirë, vetëm më hap derën.

Donte të hakmerrej se kemi qenë 3 muaj të ndarë. Në Gjermani ka nisur nga dhuna. Prej xhelozisë donte të hakmerrej, më merrte telefonin, nuk kontaktoja dot askënd. Në Gjermani kemi bashkëjetuar 1 muaj e gjysmë dhe prindërit e mi e nxorën nga shtëpia.

Më fuste 4 gishtat në grykë dhe donte me ma marr shpirtin. Unë e dija që po vdes e po jap shpirt. Më ka dhunuar. Ditën që erdhi goca e dajës për të më ndihmuar, rreth 15 herë më fuste gishtat në fyt e donte të më mbyste”, tha vajza për mediat.

Sa i përket hakmarrjes, sipas 28- vjeçares, i dashuri pretendonte se familja e saj kishte gisht në një kallëzim ndaj tij që e ndalonte të hynte në Gjermani, por në fakt thotë se nuk e kishin denoncuar asnjëherë. Pas kësaj, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e jetës së saj, gjatë qëndrimit në spital si dhe jashtë ambienteve të tij, si dhe gjithashtu të familjarëve të saj.

Ndërkohë, edhe katër djem të tjerë janë arrestuar nga Policia pasi akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ata janë identifikuar si Besmir Nurçellari, 36 vjeç, Arjan Sheta, 41 vjeç, Bledi Kateshi, 27 vjeç dhe Erlind Kateshi, 42 vjeç. Njëri prej djemve që e kishte ndihmuar të arratisej Gushollin dhe të largohej nga vendi i ngjarjes ishte kunati i tij, burri i motrës që fillimisht me shoqen e saj dërgoi për ndihmë mjekësore vajzën e re të dhunuar. Pas disa orë kërkimesh, më në fund 31- vjeçari Gleard Gusholli u lokalizua rreth e qark lagjes në afërsi të Zogut të Zi dhe u vu në pranga.

Avokati kërkon ndryshim akuze

Ndërsa avokati i saj mbrojtës, Enea Cenko, ka kërkuar që të shtohen 2 vepra penale për autorin. Sipas tij, nuk mund të lihet pa u akuzuar për pengmarrje dhe tentativë vrasje. Po ashtu, i bëri thirrje shtetit që ta marrin nën mbrojtje 28-vjeçaren, e cila u shpreh se do të largohet sa më parë nga Shqipëria. “Kërkoj në mënyrë urgjente kualifikimin e veprës penale për pengmarrje dhe tentative vrasje.

Ka plagosje të rëndë, pengim të zbulimit të së vërtetës dhe prodhim shitje narkotike. Për këtë situatë, në bazë të informacioneve që kam, ka pasur motive xhelozie dhe për një kallëzim në shtetin gjerman.

E mbrojtura nga unë ka pasaportë gjermane, infermiere në Gjermani, ku edhe punonte dhe është njohur me 31-vjecarin. Të dy janë dashuruar dhe kishin një javë që bashkëjetonin. Gjendja psikologjike është e rënduar. Ka shenja në trup. U bëj apel institucioneve shtetërore që të marrin në mbrojtje atë vajzë”, tha avokati.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat