“Votoni 1 merrni 3” lexonte në banderolën e vendosur pas podiumit, ku kryetari i komanduar i PD Enkelejd Alibeaj mbajti fjalën e tij këtë të martë ndërsa prezantonte kandidatin e Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Roland Bejkon.
Ai tha se Rama, Meta dhe Berisha janë bashkë dhe I shërbejnë njëri-tjetrit për përfitime politike dhe financiare.
“Dinozaurët e politikës nuk e pranojnë dot që në Shqipëri të mos jetë nën pushtetin e tyre. Janë të tre bashkë edhe nuk ka asnjë dyshim për këtë. Nuk mund të vazhdojnë jetën politike pa njëri-tjetrin, kanë 32 vite që ndajnë interesa politike dhe financiare me njëri-tjetrin oligarkët I kanë bashkë, mediat i kanë bashkë. Si ka mundësinë që këta opozitarët Meta dhe Berisha nuk denoncojnë asnjë nga oligarkët e lidhur me qeverinë?
Ata ditën bëjnë sikur zihen për parime, natën ndajnë interesat financiare së bashku, prandaj edhe fyejnë e shajnë sa herë u përmenden paratë. Ashtu siç bën me mua këto ditë vetëm e vetëm se bëra një pyetje që e kanë të gjithë shqiptarët, ku i gjen Berisha paratë? Ja u them unë , shkoni pyesni Erion Veliajn”,-tha Enkelejkd Alibeaj.