Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar dje dy ankimime të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për dy detaje në fletën e votimit. Bëhet fjalë për emrin e drejtuesit të koalicionit dhe logot e partive të koalicionet.
Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për të zëvendësuar emrin si drejtues të koalicionit duke vendosur emrin Sali Berisha në vend të Ilir Meta në përmbajtjen e fletës së votimit për kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak në të 61 bashkitë e vendit.
Kolegji vendosi që në fletën e votimit të jetë emri i Ilir Metës.
Trupa gjykuese për këtë çështje është Marsela Dervishi (Relatore) dhe anëtarët Esmeralda Xhili, Alma Kolgjoka, Emona Muçi, Manjola Xhaxho.
Po dje Kolegji Zgjedhor vendos që logot e partive të jenë në fletën e votimit. Kolegji rrëzoi kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që kishte kërkuar që logot e partive të mos vihen krahas fletës së votimit për kryetarë bashkie.
Kolegji Zgjedhor e rrëzoi kërkesën, duke vendosur që logot e partive dhe/ose të koalicioneve do të qëndrojnë në fletën e votimit.