Disa persona janë marrë në pyetje në qytetit e Shkodrës lidhur me vrasjen e biznesmenit, Ardian Nikulaj në lokalin e tij në Shëngjin. Shkak i shtrirjes së hetimeve në këtë qytet është bërë fakti se vrasësi është kapur nga kamerat duke udhëtuar me motorin e tij drejt Shkodrës.
Për të rënë në gjurmët e tij policia dhe prokuroria shpresojnë pikërisht tek kamerat e sigurisë, të cilat kanë fiksuar lëvizjet e vrasësit deri në Bushat. Kjo pasi personat e pyetur deri në këtë fazë, nuk kanë dhënë detaje që mund të ndihmojnë hetuesit në identifikimin e autorit.
Grupi hetimor është përqendruar dhe tek përshkrimi që dëshmitarët okular i kanë bërë vrasësit, i cili sipas tyre ishte rreth 1.90 i gjatë, me dialekt nga veriu ose Shqipëria e mesme.
Si motiv të ngjarjes policia dhe prokuroria po heton në disa pista, megjithatë më së shumti hetuesit janë përqendruar në konfliktet e mëparshme të biznesmenit, Ardian Nikulaj.