Këtë të hënë ishte parashikuar që të mbahej seanca e parë në themel në Gjykatën Anti Korrupsion për 20 të akuzuarit për inceneratorin e Fierit dhe shtatë subjekteve.
Por, seanca u shty për shkak të mosnjoftimit të disa prej avokatëve, por edhe të pandehurve. Në sallën gjyqësore nuk ishte i pranishëm ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretari i përgjithshëm Alqi Bllako, por ata përfaqësoheshin nga avokatët e tyre.
Por, policia nuk ka arritur të gjejë adresat e banimit të disa prej të kërkuarve në këtë çështje dhe adresat e kompanive që janë nën akuzë për pastrim të parave.
Apeli i palëve ka zgjatur rreth dy orë e 30 minuta, për shkak se kjo dosje është voluminoze.
Janë disa akuza që rëndojnë ndaj të dyshuarve, duke nisur nga korrupsioni pasiv i nëpunësve publikë, shpërdorimi i detyrës deri te pastrimi i parave.
Ndërkohë, SPAK ka përpiluar nga fillimi akuzat për rikualifikimin e veprave, për shkak se në adresë të Alqi Bllakos ishte akuza e korrupsionit të funksionarëve të lartë dhe pasi avokatët e tij mbrojtës ngritën pretendimin në seancën paraprake se pozicioni i sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit nuk është ai i funksionarit të lartë, SPAK u detyrua, me urdhër të gjykatës, të rikualifikojë akuzën e korrupsionit të nëpunësve publikë. Nga ana tjetër, ka pranuar dhe kërkesën e avokatëve të tjerë mbrojtës, duke rikualifikuar veprën e korrupsionit në sektorin privat.
Seanca e radhës është parashikuar të mbahet në 9 maj.