Policia e shtetit, grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill në Shëngjin vijon hetimet intensive për gjetjen e provave dhe rindërtimin e plotë të ngjarjes.
Gazetari Igli Çelmeta ka qenë sot në fshatin Kakarriq të Lezhës, aty ku një ditë më parë u gjet dhe motori me të cilin lëvizi portugezi Ruben Saraiva, i akuzuar si vrasësi i 50-vjeçarit Nikulaj.
Ai raportoi se policia po kryen kërkime për armën e përdorur, pasi dyshohet se autori ka hedhur dhe armën e krimit aty ky u gjet motori. Po sot janë bërë kërkime të tjera në banesën e Edmond Haxhisë. Grupi hetimor ka mbledhur provat që konfirmojnë se Saraiva ka qëndruar në banesën e Haxhisë.
Pasi ka kryer vrasjen, portugezi ka udhëtuar përreth 15 km dhe ka ardhur në vendin ku ka hedhur motorin. Më pas është larguar drejt Shkodrës dhe ditën tjetër i shoqëruar nga një tjetër person ka lëvizur drejt Kapshticës për të udhëtuar drejt Greqisë, ku dyshohet se ndodhet.