I burgosuri humbi jetën në spital, reagon Drejtoria e Burgjeve

Shqipëria

I burgosuri humbi jetën në spital, reagon Drejtoria e Burgjeve

Më: 4 maj 2023 Në ora: 10:25
Foto ilustrim

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar në lidhje me vdekjen e një të burgosuri në në Fier.

Sipas njoftimit mësohet se i burgosuri Simon Hashim Toska më parë nuk ka paraqitur asnjë problem shëndetësor, dhe nuk ka pas trajtim me asnjë lloj medikamenti. I burgosuri fillimisht një ditë më parë kishte shfaqur lodhje por pas marrjes së ndihmën mjekësore gjendja e tij ishte stabilizuar.

Ndërkohë në orët e para të mëngjesit të së enjtes i burgosuri ishte ndjerë keq dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore nga infermierët dhe mjekët e burgut ishte nisur për në Spitalin e  Fierit ku dhe ka ndërruar jetë.

Njoftimi i plotë;

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, informon opinionin publik se më datë 04.05.2023, rreth orës 04:00  në Spitalin Rajonal Fier ka ndërruar jetë shtetasi Simon Hashim Toska, i datëlindjes 15.04.1972, i akuzuar për kryerjen e vepres penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” të parashikuara nga neni,(283/2) i Kodit Penale.

Shtetasi Simon Hashim Toska, i datëlindjes 15.04.1972 është pranuar në IEVP Fier me masë sigurie arrest me burgim, më datë 13.08.2021 dhe pas vizitës shëndetësore është pajisur me kartelë klinike numër 4253.

Që në momentin e pranimit ky shtetas është konsultuar me mjekët e institucionit, ku nuk ka referuar për ankesa klinike akute. Gjatë qëndrimit në institucion ai nuk ka paraqitur ankesa klinike dhe nuk ka marr trajtim me medikamente për patologji kronike.

Me datë 03.05.2023, rreth orës 12:00 shtetasi SimonToska ka referuar për lodhje dhe dobësi trupore. Presioni arterial 100/70 mm Hg, pulsi arterial në normë. Në këto kushte iu vendos një perfuzion, ku më pas referoi që ndjehej mire dhe në gjendje të stabilizuar, nuk referoi për ankesa klinike.

Më datë 04.05.2023 në orën: 03:25 gjatë patrullimit në sektor punonjësi i policisë me shërbim njofton në radio punonjësit e shërbimit shëndetësor në detyrë, se i paraburgosuri Simon Hashim Toska ka probleme me frymëmarrjen. Pas njoftimit rreth orës 03:30 infermierët e shërbimit së bashku me grupin e sigurisë shkojnë në dhomën e shtetasit Simon Toska, në godinën e paraburgimit. Ky shtetas ka referuar për probleme, vështirësi në frymëmarrje, presioni arterial 90/60 mm Hg. Mënjëherë i është dhënë ndihma e parë shëndetësore, i është aplikuar medikamenti (1 ampul) prednizolon dhe është rekomanduar të dërgohet në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier.

Në orën 03:34 ky shtetas është nisur për në urgjencën e Spitalit Fier, ku edhe gjatë rrugës është asistuar me masazh kardiak. Në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, i është dhënë ndihma mjekësore (goditja me kardio- version), në EKG konstatohet asistoli. Me gjithë ndihmën mjekësore që i është dhënë këtij shtetasi, mjekët e Spitalit Fier konkluduan se, shtetasi Simon Toska ka bërë exitus letalis (vdekje).

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmve për humbjen e personit të tyre të dashur. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat