Dështon seanca paraprake për 8 personat e akuzuar për organizimin dhe porositjen e rrëmbimit të Jan Pengës. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 7 janarit të 2020, në Kamëz. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë kërkesa e avokatëve për rikthim të dosjes në prokurori pasi sipas tyre, hetimet nuk janë të plota.
Ka dështuar seanca paraprake për 8 personat mbi të cilët rëndojnë akuzat për organizimin dhe porositjen e rrëmbimit të Jan Pengës, ngjarje kjo e ndodhur më 7 janar të vitit 2020 në qytetin e Kamzës.
Panorama TV, mëson se shkak për këtë shtyre në Gjykatën e Posaçme është bërë një kërkesë e avokatëve, për të kthyer dosjen për plotësim në prokurorinë e Posaçme.
Sipas tyre, hetimi nuk është bërë i plotë, duke pretenduar, se SPAK nuk ka sqaruar komunikimin që është bërë mes Ndrek Prenges vëllait të viktimës me Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi.
Pala mbrojtëse ka kërkuar të vihen në dispozicion faktet dhe mënyra e komunikimit që përfshijnë këto dy të pandehur.
Një tjetër argument i përdorur nga mbrojtësit ka të bëjë me faktin se nuk janë pyetur të gjithë familjarët e viktimës, pasi sipas tyre duhej të merrej edhe dëshmia e Astrit Prengës, personi kyç, i cili akuzohet se vodhi një sasi të madhe droge tek një grup që më pas solli edhe rrëmbimin e të vëllait Jan Prengës.
Po ashtu njëri nga avokatët ka kërkuar kohë sepse nuk ishte njohur me aktet e dosjes.
Nga ana tjetër u shty edhe seanca për Altin Hajrin, me pretendimin se prokura e mbrojtësve të tij, nuk ishte në formën e kërkuar nga ligji. Të gjitha këto bënë që seanca të dështojë.
Çështja e Altin Hajrit, pronarit të Kompleksit në Shijak ku u mbajt për 8 orë trupi i pajetë i 49 vjeçarit është e ndarë nga të pandehurit e tjerë. Kjo për shkak se leterporosia nga Holanda mbërriti me vonesë.
Të pandehurit e tjerë janë Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini.
Për të njëjtën çështje është dënuar me burg të përjetshëm kopshtari i kompleksit Festim Bexhdili.
Sipas gjykatës ai ka dijeni se ku është varrosur trupi i Jan Prengës, por nuk ka pranuar që të flas.
Sipas SPAK, babi i 4 fëmijëve Jan Prenga, u rrëmbye me urdhër të Dritan Rexhepit dhe Gentjan Funiqi. Kjo, pasi sipas tyre, Astrit Prenga, vëllai i viktimës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.
8 të pandehurit akuzohen për “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” me pasojë vdekjen, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.