Njësia Policore Detare në Shqipëri, struktura më e re që nisi punën

Shqipëria

Njësia Policore Detare në Shqipëri, struktura më e re që nisi punën

Më: 6 maj 2023 Në ora: 15:11

Njësia Policore Detare është struktura më e re e sapokrijuar në interes të rritjes së sigurisë për pushuesit vendas dhe të huaj në zonat bregdetare, si edhe krijimit të kushteve sa më të përshtatshme dhe të sigurta të pushuesve në hapësirën ujore për notim dhe argëtim.

Njësia do t’i shërbejë edhe monitorimit të të gjithë mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit, që përdorin hapësirën ujore Shqiptare gjatë sezonit turistik veror.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte i pranishëm sot në prezantimin e Njësisë së re në Lungomare në Vlorë, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Blendi Çuçi, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe efektivë të policisë.

Njësia Policore Detare përbëhet nga 104 punonjës policie të përzgjedhur nga Policia Kufitare & Migracionit dhe Policia e Rendit, e trajnuar dhe e certifikuar nga specialistë të Rojës Bregdetare Shqiptare në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit & Migracionit.

Kryeministri Edi Ramaka thënë se sezoni i shkuar turistik veror, i cili ishte në të gjitha aspektet sezoni më i suksesshëm për turizmin në Shqipëri, u përgjak dhe u njollos rëndë nga një ngjarje, e cila revoltoi të madh e të vogël dhe hidhëroi gjithë Shqipërinë, pasi një ngjarje e provokuar nga një pjesëtar i padenjë, një shëmbëlltyrë e së keqes në komunitetin e forcave të Policisë.

Rama shtoi se humbi jetën një vogëlushe krejtësisht pa asnjë arsye në botë dhe doli në pah një tjetër dobësi e shtetit në përballjen me një peshë krejt të re, si rezultat i një transformimi të vazhdueshëm të sezonit turistik dhe i futjes në këtë sezon i mjeteve të ujit, të cilat janë shtuar ndjeshëm por duke shtuar ndjeshëm dhe rrezikshmërinë për pushuesit, duke shtuar ndjeshëm një stres të pamerituar për ata që shkojnë në bregdet dhe duke shtuar ndjeshëm edhe shkallën e përgjegjësisë së forcave të Policisë dhe përkatësisht, të Policisë Kufitare.

Rama: Njësia ta vëjë nën kontroll aktivitetin në ujë

“U desh ajo tragjedi tronditëse për të reaguar me një reflektim të thellë dhe për të nxjerrë një mësim të madh dhe për t’iu përgjigjur sfidës së re të një rreziku të shtuar në brigjet tona me krijimin e një njësie speciale të ujit, e cila sot është këtu së bashku me të gjithë mjetet e nevojshme për ta vënë plotësisht nën kontroll aktivitetin në ujë të mjeteve lundruese private. Natyrisht, në radhë të parë kërkohet qartësi e plotë e të gjithë njësisë, e të gjithë punonjësve të kësaj njësie se cilat janë detyrat e tyre, kërkohet motivim i plotë për t’i kryer këto detyra me përpikmëri dhe kërkohet vetëdije e plotë për të mos bërë u pjesë e problemit, por për të kuptuar dhe për të punuar orë e çast me angazhimin e plotë që këto mjete lundruese do jenë në ujërat e Republikës së Shqipërisë gjatë sezonit turistik për të zgjidhur çdo problem që mund të shfaqet, që nga ndalimi dhe marrja e masave të menjëhershme në vend ndaj atyre që nuk i përdorin mjetet lundruese sipas rregullave dhe bëhet rrezik. Jo vetëm rrezik, por edhe stres për pushuesit me akrobacitë e tyre motorike aty ku të tjerët duhet të bëjnë plazh e deri tek ndihma e shpejtë për ata që mund të kenë nevojë për ndihmë në ujë”, tha ai, duke shtuar se kjo patjetër kërkon një koordinim shumë të mirë edhe me Policinë që gjendet në tokë.

Rama theksoi se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, së bashku me Ministrinë e Brendshme kanë përgatitur edhe gjithë hartën e lëvizjeve, të ndalesave dhe të mundësive për veprim të mjeteve lundruese të të gjithë kalibrave sepse problemet lindin që nga ata motoskafët e shpejtë deri tek motorët e ujit të individëve që e kthejnë plazhin në një skenë shfaqjesh të rrezikshme dhe kjo hartë patjetër që duhet të bëhet e gjithë puna që të jetë sa më e lexuar dhe sa më e kuptuar nga të gjithë ata që frekuentojnë bregdetin.

Rama: Shpresoj që në këtë sezonë të numra edhe më të mëdhenj vizitorësh

“Unë e pata premtuar që kjo njësi do të mbante emrin e vogëlushes dhe në mirëkuptim të plotë me familjen e saj, u ra dakord që kjo gjë të mos bëhet, por nga ana tjetër, ai kujtim duhet të jetë motivi i punës, motivi i mundit dhe motivi i suksesit të kësaj njësie, që ajo humbje e tmerrshme e familjes, që ajo dhembje e tmerrshme e gjithë popullit shqiptar, të shërbejë që fëmijët, prindërit, familjet, vizitorët, turistët, të ndihen të sigurtë, të ndihen të qetë, të ndihen të lumtur në ato ditë që mezi i presin për të pushuar dhe për të marrë energji të reja për të vazhduar pastaj vitin. Uroj që kështu të ndodhë dhe shpresoj shumë që në këtë sezon që do të jetë dhe më i vështirë se ai i mëparshmi, se do të kemi numra edhe më të mëdhenj vizitorësh, do të kemi aktivitet dhe më të madh në akset rrugoret, do të kemi dyndje edhe më të madhe nëpër të gjitha zonat e nxehta turistike, të përballet me dinjitet nga të gjithë komisariatet”, tha Rama.

Ai tha se i ka kërkuar drejtorit të përgjithshëm të Policisë që të marrë masa ndaj polici që shkel ligjin pa kthim në këtë institucion.

Rama: Shqipëria të bëhet kampion i Ballkanit në turizëm në vitin 2030

“Ky vend të bëhet kampion i Ballkanit në turizëm në vitin 2030, në radhë të parë kjo do të thotë që ky vend të garantojë për çdo turist, për çdo vizitor, për çdo pushues shqiptar apo të huaj, një qetësi, një rregull, një pastërti, një lehtësi të paharrueshme, që të huajt që vijnë këtu dhe që janë gjithmonë e më shumë të shumtë në numër, të largohen me kujtimin se në Shqipëri gjetën atë që nuk e prisnin. Respekt, siguri dhe mirësjellje absolute, në radhë të parë nga punonjësit e Policisë së Shtetit, nga punonjësit e Policisë Rrugore, nga punonjësit në territoret turistike dhe natyrisht edhe tani nga punonjësit e njësisë së re të kontrollit dhe të garantimit të sigurisë dhe të qetësisë në ujërat e brigjeve shqiptare”, tha ai, duke theksuar se ky është mision dhe jo thjeshtë një detyrë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat