“Momenti më domethënës dhe më i bukuri i gjithë jetës”, Arta Dade flet për familjen e saj

Shqipëria

“Momenti më domethënës dhe më i bukuri i gjithë jetës”, Arta Dade flet për familjen e saj

Më: 7 maj 2023 Në ora: 22:50
Arta Dade

Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte e ftuar ish-deputetja e Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-ministrja e socialistëve Arta Dade.

Duke komentuar fotot e jetës së saj, Dade kujtoi se i ati e ka patur shumë pasion fotografinë, ndaj ajo, motra dhe vëllai i saj kanë pafund fotografi nga fëmijëria e tyre. Tejet e lumtur Arta Dade rrëfeu se prindërit e saj janë ende gjallë dhe për fatin e mirë familja e saj po shijon ekzistencën e katër brezave.

Ish-deputetja kujtoi se ka patur dhe ka një marrëdhënie të ngushtë me prindërit, teksa e cilësoi nënën e saj si shembullin e sakrificës, mirësisë dhe që gjithë vëmendjen ia kushtonte fëmijëve.

Dade tha se prindërit e saj prej 63 vitesh kanë jetuar me vëllain e saj dhe bashkëshorten e tij, por tashmë këta të fundit janë larguar drejt Amerikës dhe është ajo që përkujdeset për prindërit.Kur në studio u shfaq një foto me djalin e saj të madh, Arta Dade tha se edhe për të, sikurse për çdo grua, momenti kur është bërë nënë për herë të parë është “momenti më domethënës dhe më i bukuri i gjithë jetës”.
Përveçse një pedagoge dhe politikane që janë angazhimet e saj të mirëfillta profesionale, ish-deputetja së fundmi ka provuar edhe aktrimin. Teksa në “Dola te Ola” u shfaqen momente nga shfaqja teatrale ku ajo ka marrë pjesë, Dade foli me shumë emocion. Ish-deputetja është ngjitur në skenë përkrah emrave të mëdhenj të skenës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare, me një monolog të cilin e ka realizuar në mënyrë të përkryer.

Arta tha se si fillim mendoi se shfaqja nuk do të donte shumë angazhim, por pasi e mori përsipër u përpoq ta realizonte më së miri në mënyrë që mos të stononte përkrah profesionisteve të vërteta.

“Një shfaqje shumë e bukur dhe me shumë emocion”, tha ajo, teksa shtoi se aty kuptoi më mirë edhe vështirësitë me të cilat përballen artistët shqiptarë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat