Lefter Maliqi, gjatë një interviste televizive ka shpalosur programin e tij nëse do të vijë në krye të bashkisë. Së pari, Maliqi shprehet besimplotë për një fitore, duke qenë se ka dhe përvojën e duhur sipas tij për të realizuar punë të mira.
Së dyti, kandidati i koalicionit akuzon kryebashkiakun aktual, për abuzime me fondet dhe të ardhurat, në tendera të ndryshëm të firmosur së bashku me oligarkët. Ai premton, për një ndryshim përmirësues për mirëqenien e qytetarëve të Kuçovës.
Ndonëse, kryeministri Edi Rama në takimet e tij elektorale është shprehur që nuk ka për të pasur bashkëpunime me kandidatët e opozitës nëse do të zgjidhen si kryetarë, Maliqi ka bindjen që ka për t’i rrëmbyer qeverisë fonde për bashkinë e Kuçovës, duke qenë se ky vend i përket naftëtarëve, aviatorëve dhe intelektualëve.
Lefter Maliqi: Bashkia Kuçovë, në bazë të ndarjes së re territoriale, ka 8 vjet që është bashki e madhe që përmban dhe tre ish-komuna, që së bashku kanë gjysmën e votuesve, barabartë me qytetin. Gjithsej janë 44 mijë votues. Zgjedhjet në bashkinë e madhe janë bërë para 8 vitesh, ku kandidati i PD-së ka humbur përball PS dhe LSI-së. Jam tepër optimist, sepse kur kam qenë deputet i kam kthyer këto tre ish-komuna në të djathta edhe qytetin kësaj radhe do ta fitoj bindshëm.
Sekreti për marrjen e votave, nuk ka të bëjë me problemet që kanë pasur të tjerët, unë jam i thjeshtë, kam mbajtur premtimet, i kam dhënë provat. Pres me padurim ndryshimin e madh, sepse i them stop abuzimeve me taksat e qytetarëve, stop tenderave korruptues.
“Kuçova kantier ndërtimi”. Bashkia Kuçovë administron 7 mld e 200 mln lekë, si të ardhura dhe fond i detyrueshëm. 2 mld e gjysmë janë pagat, kurse rreth 5 mld lekë janë bërë tendera abuzive, vjedhje e hapur e kryebashkiakut me taksat e qytetarëve. Unë jam transparent. Tenderi i pastrimit është 1 mld e 400 mln lekë, që unë mund ta bëj me 300 mln lekë. 200 mln hidhen për mirëmbajtje rrugësh. 400 mln tenderi i naftës. Vjedhje me çdo gjë, madje dhe me varrezat.
Banorët e Kuçovës kanë besim tek unë dhe të zhgënjyer nga kryebashkiakët. Kur isha kryetar i komunës Olltrak, i tejkalova premtimet. Unë i kam njohjet e duhura. Kam besim që edhe nga qeveria shqiptare, pavarësisht që kryeministri është i krahut tjetër, kam një bindje totale që do t’i rrëmbej fonde për bashkinë e Kuçovës, sepse është e naftëtarëve, aviatorëve dhe intelektualëve. Muzeu historik është i shkatërruar. Do të kthehet besimi, të majtët e ndershëm janë me mua.
Punën do ta nisim që nga dita e parë, zyra e kryetarit do të jetë në katin e parë, gjendja civile do të jetë po në këtë kat dhe nuk do të ketë policë para bashkisë, por do të ketë një recepsioniste për të respektuar popullin. Gjënë e parë që do bëj është që do mbledh Këshillin Bashkiak për të anuluar të gjithë tenderat abuziv. Do të bëhet puna e menjëhershme në çdo sektor. Një ditë do jem në qytet dhe tre ditë të tjera në fshat, ndërsa dy ditë do jem në Tiranë për të marr fonde.