Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka mbyllur sot fushatën zgjedhore në qytetin e Shkodrës.
Kandidati i opozitës Bardh Spahia, në fjalën e tij para qytetarëve, ka deklaruar se më 14 maj do të nisë një rrugëtimi i ri për Shkodrën me një të ardhme më të mirë e plot shpresë.
Ai ka shtuar se shkodranët nuk janë dorëzuar edhe në kohët e vështira e nuk do ta bënë as tani pavarësisht përfshirjes së krimit dhe parave të pista.
Spahia u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime e të thonë fjalën e tyre nëpërmjet votës.
“Kudo ku kemi rrugëtuar në këtë fushatë kam ndjerë frymën e fitores.
Nuk jemi dorëzuar as në kohët më të vështira, na kanë udhëhequr parimet e forta që kemi brenda nesh.
Nuk do ndodhë edhe këtë herë pavarësisht parave të pista dhe përfshirjes së krimit.
Shkodra nuk është e atyre, është e juaja, e të gjithëve ne që me vizion do i japim shkëlqimin që meriton.
Na ndajnë vetëm 2 ditë nga 14 maji. Të vlerësojmë momentin e të kuptojmë rëndësinë e saj. Ju ftoj me zemër të dilni masivisht në votime e të thoni fjalën tuaj.
Vota për ne do jetë besimi për një ekip profesionit.
14 maji, dita kur nis rrugëtimi i ri për Shkodrën me një të ardhme më të mirë e plot shpresë”, ka deklaruar ai.