Avokati i Fredi Belerit, Romarjo Meminaj, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj kandidatit të opozitës në Himarë.
Ai deklaroi para mediave se kushtet e arrestimit në flagrancë nuk plotësohen, pasi klienti i tij po darkonte me miqtë e tij në momentin e ndalimit.
Lidhur me paratë e kapura, ai shprehet se i janë gjetur një tjetër personi dhe jo Fredi Belerit.
“Sapo kam dalë nga dyert e komisariatit të Vlorës. Akuza e tij është për korrupsion aktiv në zgjedhje i kryer në bashkëpunim. Kushtet e flagrancës nuk qëndrojnë në këtë moment, sepse Beleri ka qenë me dy miqtë e tij duke darkuar me miqtë e tij dhe në atë moment ka vajtur policia dhe pretendohet se është kapur në kushtet e flagrancës. Duhet të kesh diçka që të japësh, Ai nuk është kapur as me lekë dhe me asgjë tjetër. Paratë e sekuestruara i janë gjetur një personi tjetër dhe ska lidhje me Belerin”, tha ai.
Nga ana tjetër institucionet pretendojnë se kanë prova të dokumentuara, ku Beleri implikohet në shitblerje votash.