Ish kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që marrin pjesë në votime në orët në vijim për t’i bërë një shërbim të jashtëzakonshëm vendit.
Berisha u shpreh se ata që nuk kanë votuar ende duhet të marrin pjesë dhe theksoi se opozita do të garantojë votën e tyre, nga narko administrata dhe narko shteti i Edi Ramës.
“Unë do të falenderoj të gjithë qytetarët që kanë hedhur votën e tyre në kutitë e votimit dhe kanë kryer një detyrë kushtetuese jashtëzakonisht të rëndësishme për veten dhe familjet e tyre.
U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk kanë votuar, të votojnë, të paraqiten në orët në vazhdim pranë qendrave të tyre dhe të votojnë si një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëjnë vendit, vetes dhe familjes së tyre. Garantoj qytetarët se opozita po mbikëqyr me sukses të plotë këtë proces. Ajo sot është më e fuqishme se kurrë. Vota e tyre ka mbrojtjen absolute të opozitës shqiptare.
Çdo përpjekje që po bën narkoadministrata, narkoshteti është e destinuar të dështojë dhe vetëm të dështojë. I them qytetarëve, policia ka marrë pushim sot por pavarësisht nga kjo ju votoni si njerëz të lirë. Opozita do të mbrojë dhe po mbikëqyr çdo votë tuajën”, tha Berisha.