Ministrja Bora Muzhaqi ka dalë në një reagim të dytë brenda pak minutave i ka kërkuar sërish kryekomisionerit Ilirjan Celibashi që të kërkojnë ndjesë qytetarëve për problematikat që u krijuan në qendrat e votimit me pajisjen e identifikimit.
Në një dalje për media, ajo u ka bërë apel sërish qytetarëve që të dalin dhe të votojnë, duke ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese.
Dëgjuam reagimin e komisionerit Celibashi për “qeverinë ku bën pjesë zonja”, por nuk dëgjuam ndjesën e tij drejtuar mijëra zgjedhësve, të cilët në më shumë se 500 qëndra votimi, u penguan të votojnë pasi pajisjet elektronike të KQZ-së nuk funksiononin.
Arsyet e mosfunksionimit të tyre ishin nga më absurdet, (deri edhe për moskarikim të baterisë), por kjo meriton një analizë të veçantë pas zgjedhjeve, sepse “qeveria ku bën pjesë zonja” e ka financuar masivisht KQZ-në për pajisjet e identifikimit elektronik, si edhe për ato të votimit elektronik.
Prandaj edhe nuk ka se si të mos na vijë tmerrsisht keq për mosdhënien e shërbimit të identifikimit elektronik, duke penguar mijëra zgjedhës për disa orë, teksa KQZ-ja nuk merrte dot as vendimin elementar të nisjes së votimit në çdo qendër, pa i mbajtur njerëzit me orë në pritje, përtej orarit zyrtar të fillimit të zgjedhjeve.
Por këtu jam përsëri për apelin e Partisë Socialiste, drejtuar të gjithë atyre që s’mundën të votojnë në orët e para të mëngjesit:
Ju lutemi rikthehuni gjatë ditës dhe kryeni detyrën tuaj qytetare, duke votuar! Po ashtu, Partia Socialiste u bën apel edhe të gjithë zgjedhësve të tjerë që nuk janë drejtuar akoma në qendrat e votimit dhe ende nuk e kanë ushtruar të drejtën e votës: Ju lutemi bëheni këtë në orët në vijim!
E përsëris, kushdo prej nesh që voton, voton edhe për ata që nuk e kanë të mundur të votojnë, sepse janë larg apo sepse janë ende fëmijë, por duan dhe meritojnë një Shqipëri akoma më të mirë.
Vota vlen shumë! Vota vendos shumë! Vota e përcakton më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen tonë të përbashkët!
Prandaj thirrja e Partisë Socialiste është votoni, votoni, votoni!