Rama shpall fitoren/ PS merr shumicën dërrmuese të bashkive! Kryesocialisti: Shkodra, kryefjala jonë

Shqipëria

Rama shpall fitoren/ PS merr shumicën dërrmuese të bashkive! Kryesocialisti: Shkodra, kryefjala jonë

Më: 16 maj 2023 Në ora: 00:48
Edi Rama

Edi Rama u shfaq bashkë me strategun e fushatës së tij elektorale Endri Fuga, 24 orë pasi Partia Socialiste korri një tjetër rekord elektoral në zgjedhjet lokale të 14 majit.

I pari socialistëve nuk foli me doza e triumfatorit por me përulje, kur tha se fitoren e shikon si një shpërblim dhe barrë të madhe për PS.

“Kjo është një fitore shumë e madhe për t’u festuar dhe unë vet ndihem shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve tanë nga Tropoja në Konispol.

 Kam dhe besoj kemi të gjithë nevojë të ruhemi nga era e fortë dehëse e një fitoreje si kjo. Por tanimë që shqiptarët i zgjodhën ata që dëshironin, ne do të vazhdojmë pa humbur kohë punët që u ngadalësuan nga fushata, jo vetëm në nivelin vendor, por edhe në nivelin e qeverisjes qendrore”- tha Rama.

Për kaosin e fillimit të votimit nga problemet e pajisjeve elektronike Edi Rama fajësoi KQZ me tone të ashpra. Ndërsa për humbësit e zgjedhjeve Edi Rama tha:

“Zgjedhjet nuk kanë pasur asgjë të veçantë në asnjë aspekt përveç dështimit spektakolar të KQZ-së për të garantuar fillimin në kohë të votimit në mbi 500 qendra për mijëra e mijëra qytetarë, që me korrektesë dhe dëshirë, që në orët e para të mëngjesit ishin futur në radhë për të ushtruar të drejtën dhe detyrën e tyre kushtetuese. Vërtetë është i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm, por nuk dua të ndalem me tutje në këtë. Me siguri që ne nuk do ta lëmë me kaq këtë çështje, aq më tepër kur pamë skenat e tmerrshme të atyre pajisjeve që hidheshin si arka bosh, sepse asnjë arkë me çfarëdo gjëje të mbajë brenda, nuk mund të hidhet ashtu në kamion për të shkuar në destinacion.”-tha Rama.

Edi Rama i dha një përgjigje të prerë retorikës me plot presion të Greqisë për rastin e Fredi Belerit.

“Përsa i përket akuzave të opozitës, ju nuk keni nevojë të më pyesni sot; ju keni sinkronet, unë e kam parashikuar disa herë në takimet e mia publike. E vetmja gjë, që unë nuk parashikova ishte shpejtësia me të cilën u kthye në atë që është pozicioni i përhershëm, historik, i përjetshëm i tyre, mohimi i realitetit dhe fillimi i klithmave për vjedhje të zgjedhjeve ndërkohë që, deri sa dolën rezultatet e para, sidomos rezultati i  Kamzës, ata ishin, si gjithmonë edhe në të shkuarën, të sigurt që kishin një fitore tronditëse.”-tha Rama.

Por si e shikon Edi Rama besimin historik dhënë nga shkodranët Partisë Socialiste?

“Shkodra më ka bërë mua sfidë kësaj here. Shkodra, kryefjalë e mandatit që nis pas disa muajsh. Shkodranët nuk janë dalluar asnjëherë për t’i bërë gjërat gjirokastritshe, i kanë bërë gjërat gjithmonë me gjithsej, kështu që në gjithsej na kanë hedhur një top që ne duhet të jemi të zotë ta kapim dhe ta çojmë aty ku duhet”- tha Rama më tej.

Rama paralajmëroi një tur falënderimesh në të gjithë Shqipërinë të cilin do ta nisë nga Shkodra.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat