La pas dy fëmijë, misteri që mbulon vdekjen e Jani Rustemit, institucionet heshtin

Shqipëria

La pas dy fëmijë, misteri që mbulon vdekjen e Jani Rustemit, institucionet heshtin

Më: 21 maj 2023 Në ora: 10:43
Jani Rustemi

Rasti i Jani Rustemit, të riut që mbylli sytë dje, kur ka kaluar më shumë se një muaj nga arrestimi i tij, u bë publik nga mediat. Ishte nëna e tij që mori guximin të bënte denoncimin në emisionin ‘uniko’ duke treguar se i biri, 28 vjeç dhe baba i dy fëmijëve ishte në gjendje shumë mirë para se të arrestohej nga policia.

Rustemi ishte shpallur në kërkim pasi akuzohej se kishte vjedhur një tapet e një palë atlete dhe efektivët e vunë në pranga më datë 13 prill. Por, vetëm një ditë më pas, 28-vjeçari që ndodhej në qelitë e paraburgimit tek ‘302’-shi në rrugën ‘Mine Peza’ në Tiranë, u ndje keq. Ai shfaqi probleme shëndetësore, por pavarësisht gjendjes së tij, Rustemi doli para gjykatës dhe ndaj tij u vendos masa e sigurisë ‘arrest me burg’.

Policia ndërkohë nuk kishte bërë asnjë reagim! Më datë 17, gjendja e Rustemit u rëndua sërish dhe ai u shtrua në spital. Tre ditë më vonë, nëna e tij bëri një kallëzim dhe ngriti pretendimin se djali i saj ishte keqtrajtuar nga efektivët e policisë. Autoritetet vijonin të heshtnin, duke mos nxjerrë asnjë njoftim rutinë për rastin në fjalë, deri në momentin që nëna e Rustemit me videon ku shihej i biri që dergjej në shtratin e spitalit, iu drejtua mediave.

Ajo denoncoi publikisht ratin në emisionin “Uniko”, ku rrëfeu se Jani kishte qenë në gjendje shumë të mirë shëndetësore një ditë pasi efektivët ta vinin në pranga. Si provë, Pranvera Rustemi kishte dhe një video të postuar në Instagram, vetëm më 12 prill. Aty Jani shihej teksa qeshte dhe luante me qenin që kishin në shtëpi. Nëna e Jani Rustemit tha se policia nuk i ka dhënë asnjë informacion për gjendjen shëndetësore të të birit. Ajo theksonte se djali nuk vuan nga asnjë sëmundje dhe nuk e lënë as që të hyjë në spital t’i qëndrojë afër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat