Partia e Lirisë ka denoncuar ditën e sotme procesin e votimit për zgjedhjet e 14 majit në bashkinë e Kuçovës, duke e cilësuar numërimin si tërësisht të kompromentuar edhe pas denoncimeve të kandidatit të “BF” Lefter Maliqi.
Sipas tyre ambienti i numërimit në bashkinë e Kuçovës ishte i ndarë në dy dhoma, ku njëra prej tyre nuk survejohej me kamera, ishte e pandriçuar dhe që përmbante shumë materiale të tjera.
Po ashtu, sipas PL, pati kaos dhe tension të qëllimshëm brenda ambienteve të numërimit dhe konfrontime, të cilat e shkëputën shumë shpesh procesin e numërimit.
Më tej PL tregon ndër disa akuza se në një numër të konsiderueshëm kutish, u konstatuan parregullsi dhe mungesa dokumentacionesh, si procesverbale dhe mungesë vulash në materialet brenda në kuti.