Rikthimin Lulzim Basha mund të mos e ketë kaq të lehtë. Një telash i vjetër rus, mund ta përndjek këto kohë.
Në shtator të 2022, një raport sekret amerikan zbuloi se Lulzim Basha, në 2017, koha kur doli nga çadra, dhe futi PD-në për herë të parë nën drejtimin e tij, në fushatën për zgjedhjet Parlamentare, mori gjysmë milioni dollarë, para nga burime ruse.
Në atë kohë rinisi një përplajse mes tij dhe Sali Berishës, dhe për pak kohë, cështja u tejkalua. Lulzim Basha e mohoi, duke nxjerr dhe përfundimin e hetimeve nga drejtësia, që pati hedhur poshtë pretendimet.
Por Partia Socialiste ende nuk ka hequr dorë. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, thotë është se momenti që Parlamenti të bëjë një hetim të thelluar për çdo informacion mbi hyrjen e rublave ruse ne vend.
“Është koha e duhur, ndoshta e vonuar, ngritja e një Komisioni të Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë për Ndërhyrjet e Jashtme në Proceset Demokratike, duke synuar mbledhjen e informacionit mbi rastet e bëra publike apo dhe të tjera mbi financime të partive dhe aktorëve politikë nga burime financiare të lidhura me shtete jo miqësore me Shqipërinë”
Nuk është vetëm Lulzim Basha. Në mars të këtij viti, doli dhe emri i ish-kryetares së lsi, Monika Kryemadhit, si një tjetër zyrtare që ka marrë para ruse. Ishte Eu-reporter, media europiane, që publikoi disa dokumente, që tregojne se deputetja e Partisë së Lirisë, në cilesine e ish-kryetares LSI-së, ka marrë pagesa të ndryshme përgjatë vitit 2017 nga kompani të cilat kontrollohen nga biznesmenë rus që operojnë në biznesin e naftës.
Pritet për tu parë nëse PS-ja do e ngrejë së shpejti këtë komision, që do të rikthejë Lulzim Bashën në Kryesi të Kuvendit, për herë të dytë, nga koha kur dorëzoi mandatet e djegura të deputetëve të tij, në 2019.
Ky propozoim nga Taulant Balla vjen në një kohë që Bashkimi Europian ka rritur vigjilencën për të parandaluar çdo ndërhyrje të qeverive të huaja, nga vende jo mike.
Të enjten Parlamenti Europian miratoi një raport që kishte në fokus masat ndaj ndërhyrjeve të huaja në vendet anëtare të Bashkimit Europian përmes dezinformimit, sulmeve kibernetike dhe ndërprerjes së infrastrukturës kritike.
Si pjesë e rekomandimeve në këtë Raport u kërkohet të gjitha vendeve anëtare të përputhin qasjen e tyre me kufizimet që Bashkimi Evropian, por dhe SHBA, kanë vendosur mbi platforma të caktuara të mediave sociale, sic është TIk-Tok.