Përdorte lokalin e marrë me qira, për veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit me kompjutera dhe tavolina pokeri vihet në pranga 20-vjeçari, Ervin Jaku.
Procedohen në gjendje të lirë edhe 4 shtetas të tjerë të cilët u gjetën në lokal në momentin e ndërhyrjes nga Policia.
Sekuestrohen 6 kompjutera për lojëra fati, 2 tavolina pokeri, 2 valixhe me fisha bixhozi, një shumë parash dhe aksesorë të tjerë që përdoren për këtë veprimtari.
Gjatë fazës së parë të këtij operacioni, janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë sekuestruar 7 kompjutera për lojëra fati, celularë dhe pajisje të tjera që shërbenin për kryerjen e kësaj veprimtarie.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të kontrolleve të ushtruara në lokale dhe në ambiente të tjera, në kuadër të operacionit “Basti i fundit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë finalizuar fazën e dytë të këtij operacioni. Si rezultat i kësaj faze u evidentua dhe u godit një tjetër rast i përshtatjes së lokalit për veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.