Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për tre shtetas shqiptarë, pasi akuzohen për veprën penale ‘Mashtrim’.
Mësohet se tre shqiptarët në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë marrë një shtetase çeke një shumë prej 28 mijë eurosh, nëpërmjet mashtrimit. Burime për Panorama bëjnë me dije se gjithçka ka nisur në paraburgimin e Peqinit, ku bashkëshorti i denoncueses është i ndaluar në vendin tonë prej muajsh pasi kërkohet nga drejtësia çeke pasi akuzohet për veprën penale të fshehjes së të ardhurave.
Burimet bëjnë me dije se i huaji ndodhej në qeli me Erald Filja, i arrestuar në 10 mars të vitit të shkuar për armëmbajtje pa leje dhe posedim droge. Filja i kishte kërkuar këtij të fundit një shumë prej 28 mijë eurosh në mënyrë që të ndikonte tek autoritetet dhe ta lironin nga qelia.
Sipas deklarimeve të kallëzueses, shumën e parave që ajo ja ka dhënë Martin Bajramit, shokut të Erald Filjas, në harkun kohor të 4 muajve i janë dorëzuar bashkëshortes së Erald Filjas dhe jo autoriteteve.
Pas marrjes së kallëzimit nga shtetasja çeke, prokuroria e Elbasanit dhe Shërbimi i Kontrollit të brendshëm në sistemin e burgjeve kanë nisur hetimet. Ata kanë arritur të provojnë kryerjen e veprës penale të “mashtrimit” nga 3 të dyshuarit. Gjatë kontrollit hetuesit kanë mundur që të sekuestrojnë shumë e 13.540 euro.
Gjykata caktoi në mungesë masën e sigurimit arrest në burg për Erald Filja dhe Martin Bajramin. Ndërsa për Adriana Filjan u caktua masa e bllokimit të pasaportës.
Njoftimi i plotë:
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar Urdhrin e ekzekutimit datë 10.06.2023, lëshuar në bazë të vendimit nr.386 datë 10.06.2023 dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për caktimin e masës shtrënguese “Arrest me burg” , në ngarkim të shtetasve;
B, lindur dhe banues në Cërrik i datëlindjes 18.01.1982, i akuzuar për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 paragrafi 3 i Kodit Penal.
E.F, lindur dhe banues në Cërrik, i datëlidnjes 31.07.1988, i akuzuar për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 paragrafi 3 i Kodit Penal, aktualisht i paraburgosur në IEVP Peqin për të njejtën vepër penale.
Si dhe për caktimin e masës shtrënguese “ndalim i daljes jashtë shteti”, në ngarkim të shtetases;
F, lindur dhe banues në Cërrik, e datëlindjes 05.01.1990 akuzuar për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 paragrafi 3 i Kodit Penal
Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në bazë të materialit kallëzues të shtetases Çeke V.R të dërguar nga SHKBB, ka regjistruar procedimin penal nr.630 viti 2023, pasi shtetasit e mësipërm nëpërmjet mashtrimit në bashkëpunim me njëri tjetrin i kanë marrë shumën prej 28.000 eurosh të copëzuar në intervalin kohor prej 4-muajsh. Nga veprimet e shpejta hetimore dhe të dokumentuara në kohën e momentin e duhur nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve është bërë e mundur sekuestrimi i shumës 13.540 euro CASH.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. SHKBB mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët, të paraburgosurit , të dënuarit dhe punonjësit e administratës të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga punonjës të Policisë së Burgjeve, duke telefonuar në numrin 044 20 40 20.