Ish-kryeministri Sali Berisha në një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjetet sociale këtë fundjavë, ka hedhur akuza të forta në drejtim të Lulzim Bashës, për të cilin theksoi se është peng i Edi Ramës.
“Një garë mes meje dhe Edi Ramës në PD, kaq është e ngjashme. Faktet nuk janë për t’u injoruar, por për t’u pasur parasysh. Lulzim Basha ishte në një proces penal, të cilin nuk ia ngriti Sali Berisha, për ngritjen e të cilit Rama pagoi McGonigalin. Në të cilin akuza ishte larje parash 720 mijë dollarë. Edi Rama e menaxhoi procesin e Lulzim Bashës, e çoi gjer në prag të dënimit minimumi me 6 vite burg për 720 mijë dollarë pa origjinë. Shërbimet amerikane thonë se janë me origjinë ruse, ai e mohon, por origjinën e vërtetë nuk e ka treguar kurrë.
Në këto kushte, Edi Rama ia mbylli dosjen me një prokuror. Ka një prokuror që ka firmosur për mosmbylljen e dosjes. Firma e tij është e mjaftueshme që Edi Rama ta hapë dosjen në çdo kohë. Ju më thoni se pengu i Edi Ramës, të vazhdojë me skenarin e Edi Ramës. Ajo që po ndodh është skenar i Edi Ramës për të shëmtuar sa më shumë opozitën. Sepse akoma ka njerëz që besojnë se Lulzim Basha është opozitë. Por ai është një peng pa vlerë. Është njëlloj si të më thuash a do bësh garë me Taulant Ballën. Kjo nuk mund të ndodhë”, deklaroi ai.
Ndërkohë Berisha komentoi edhe draft statutin për Asocacionin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilën e cilësoi si të hartuar në Beograd. Po ashtu, ai foli dhe për nismën e opozitës për minimumin jetik, duke e cilësuar si mjaft të rëndësishme për eliminimin e fenomenit të varfërisë ekstreme.