Gjergji Hani, i cili është kandidati i parë që është futur në garë për kreun e Partisë Demokratike, më 29 korrik, ka deklaruar se nevoja e thirri për të kandiduar për kreun e Partisë Demokratike. Dje, në një intervistë televizive, ai tha se sot e djathta shqiptare ndodhet në një moment të vështirë. Përgjegjës për këtë, thotë Hani, është Sali Berisha, për të cilin thotë se ka tjetërsuar prej 30 vitesh të djathtën shqiptare për keq.
“U nisa nga ndjenja e detyrimit jo vetëm karshi eksperiencës sime, por edhe në memorie të shumë atyre që kanë qenë pjesë e jetës sime që sot nuk janë më. Nuk pretonim të kishte një opozitë në gjendje të tillë. Është momenti më i vështirë dhe më i mirë për të djathtën shqiptare që të mund ta kapërcejë dhe të rilindë për atë që është. Këndvështrimi im është konservator”, deklaroi ai.
Ndërkohë sipas Hanit, për vite me radhë Sali Berisha ka manipuluar shqiptarët, e këtë gjë shton se duhet t'ua themi të gjithë demokratëve se ‘ua ka shitur sapunin për djathë’ e që vazhdon të bëjë të njëjtën gjë. Një bashkim me Rithemelimin, nënvizon Hani, nuk mund të ketë, pasi jeniçerët e Berishës, siç i cilëson ai, nuk kanë asnjëlloj dialektike për bashkim.
“Sali Berisha nuk ka qenë kurrë kryetari im! E kam marrë në 2012 teserën e PD-së. Se kam pranuar kurrë figurën e Berishës në krye të PD-së. Kam dhënë një kontribut me aq sa kam mundur. PD e Sali Berishës dhe në kohën kur ishte Basha në hijen e Berishës nuk ofronte shumë mundësi për njerëz që kishin mendim ndryshe. Kam dhënë kontribute me aq sa mundesha në rrjetet sociale. Një pjesëmarrje aktive e imja ndodhi në momentin që ishte krisja e madhe. Nuk erdhi si nevojë e brendshme e PD-së, erdhi si një shtyrës nga jashtë nga SHBA të cilët e shpallën non grata Berishën. Do kisha pritur më shumë nga e djathta shqiptare. Berisha është tjetërsues i identitetit të së djathtës shqiptare, natyrisht që për keq”, nënvizoi Hani.