Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu e shikon ndërhyrjen e Ramës në çështjen Kosovë-Serbi, si negative dhe për të shfajësuar Vuçiçin.
Në një intervistë për “Panorama TV”, Shehu shprehet se drafti i propozuar nga Rama për asociacionin e komunave serbe është konsultuar me Vuçiçin dhe jo me Kurtin, duke theksuar se kjo është bërë për të sfumuar autonominë e Kosovës.
Ndërsa sa i takon qëndrimit të Albin Kurtit, Tritan Shehu tha se duhet të jetë më bashkëpunues dhe më i lidhur me partnerët ndërkombëtarë.
“Kryeministri Albin Kurti duhet të jetë më bashkëpunues dhe më i lidhur me partnerët, SHBA, NATO dhe BE. Pra në koordinimin e veprimeve. Në parim në tërësi ka vepruar pozitivisht. Agresori është Serbia. Nuk mund të dënojmë Kosovën kur agresori është Serbia.
Qeveria e Kosovës duhet të sjellë platformën e qartë për asociacionin e komunave serbe në veri të Kosovës. Nuk vjen asgjë e keqe nga dhënia e disa të drejtave komuniteteve minoritare. Pa dyshim në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sa më shumë të vonohet qeveria e Kosovës me daljen e një platformë të qartë për këtë gjë, aq më shumë krijohen shteg për keqinterpretime, por edhe për veprime si bëri Rama absurde të papërshtatshme që nxori një draft pa u konsultuar me Kosovën, duke kërkuar të sfumojë autonominë e Kosovës dhe jam i bindur se ai draft ka qenë i konsultuar me Vuçiçin dhe jo me Kurtin.
Ndërhyrja e Ramës është negative dhe ka qenë për të shfajësuar Vuçiçin dhe për të fajësuar Kosovën. Shqipëria duhet të ruajë marrëdhënie shtetërore me Serbinë”, tha Shehu.