Autorja njihet nga lexuesit tanë me librin e saj “Ah, sikur të qëndroja”! Libri është përkthyer nga suedishtja në gjuhën shqipe nga Rita Çifliku.
Libri trajton një tematikë të veçantë, emigracionin dhe si i përjetojnë fëmijët ndryshimet që sjell ai në jetën e tyre dhe të familjes. Ky përjetim vjen përmes historisë së Ilonës 13 vjeçare dhe familjes së saj, e cila detyrohet të largohet nga vendlindja për në Suedi, për shkak të rrezikut që iu kanosej.
Ajo shkon në shkollë, luan dhe shoqërohet me shoqen e saj më të mirë Stela, por ndryshe nga shokët e saj të shkollës, ajo jeton me familjen e saj në një manastir, duke u fshehur, në pritje të lejes së qëndrimit apo dëbimit nga vendi ku jetojnë. Fëmijët shkojnë në shkollë, por prindërit nuk mund të largohen kurrë nga manastiri, sepse rrezikojnë të kapen nga policia.

Si është të jetosh në një vend ku në të vërtetë nuk të lejohet të jetosh? Të kesh gjithnjë frikë se diçka do t’i ndodhë familjes. Si është të jetosh me të gjithë familjen në një dhomë të vogël vit pas viti?
Dhe si është të jesh mikja më e mirë, që ka mundësi të qëndrojë dhe të planifikojë të ardhmen? A duhet të ndiheni fajtorë që i keni të gjitha mundësitë?

Libri ka pasqyruar me mjaft mjeshtëri ndjeshmërinë, miqësinë dhe dhembshurinë. Pavarësisht nga tema, autorja e ka bërë librin edhe argëtues.
Autorja Kajsa Gordan ka qenë mësuese, gjë që e ka ndihmuar të njohë fëmijë që jetojnë në emigracion në pritje të lejes së qëndrimit, të njohë jetën dhe vështirësitë që kalojnë, mes tyre edhe fëmijë nga Kosova.
Gjatë qëndrimit të saj në Tiranë shkrimtarja ka zhvilluar një takim të bukur me fëmijët e kampit veror të shkollës “Turgut Ozal”, ndërsa me fëmijët e Qendrës së Edukimit për fëmijë takimin e realizoi në “Studio Kadare” ku bashkëbisedoi me ta për librin dhe krijimtarinë e saj si shkrimtare. Fëmijët e kanë befasuar autoren jo vetëm me kureshtjen e tyre, por edhe me vizatimet e krijuara të frymëzuar nga personazhet e librit.