15 vota me pak është rezultati final nga 18 kutitë e votimit të zgjedhjeve të 14 majit që u rinumëruan sërish për bashkinë e Kuçovës, në qarkun e Beratit.
Ndryshimi nga rezultati i 14 majit është 9 vota më pak për PS, 4 më pak për Bashkë Fitojmë dhe 2 më pak për PD .
Katër grupe numërimi u organizuan pranë kolegjit zgjedhor për rinumërimin e 18 kutive në bashkinë e Kuçovës.
Pala paditëse, avokati i kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, kërkoi mosfillimin e procesit të numërimit pasi pretendon se nuk janë procesverbalet e plota në kutinë e materialeve zgjedhore që tregojnë sa ka qenë numri total i votave dhe nëse përkon me numrin aktual të votave që gjenden në kuti.
Seanca u ndërpre dhe iu la kohë përfaqësueses së KQZ-së për të gjetur materialet.
Gjatë ndërprerjes pati përplasje mes Lefter Maliqit dhe sekretarit të përgjithshëm të KQZ-së, Ylli Merkajt.
Termat e përdorur kanë qenë ofendues, ku Maliqi i është drejtuar atij me fjalët “Rrugaç”, “Hajdut”.
Seanca nisi sërish, ku u vendos të nisë rinumërimi e t’i lihet kohë KQZ-së për të dorëzuar procesverbalet që Maliqi pretendon se janë bosh e ku vëzhgues në këto 18 Qendra Votimi kanë qenë vetëm vëzhguesit e PS-së dhe PD-së.
Rinumërimi është vendimi i Kolegjit Zgjedhor që hedh poshtë vendimmarrjen e mëparshme të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, pas kërkesës të kandidatit të Koalicionit Bashkë Fitojmë për rivlerësim të votave dhe shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në këtë bashki.