Nisma ‘Thurje’ dorëzoi sot në KQZ kërkesën për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani shpjegoi në një intervistë për Euronews Albania arsyet pse kanë kërkuar që mosha e votimit të ulet në 16 vjeç.
Sipas tij, një 16-vjeçar në Shqipëri mban përgjegjësi të plotë penale për kundërvajtjet dhe krimet, ka të drejtë të punojë, ndaj nuk ka pse mos të ketë të drejtë të zgjedhë edhe kush i harton ligjet.
“Një 16-vjeçar në Shqipëri mban përgjegjësi të plotë penale për kundërvajtjet dhe krimet, ka të drejtë të punojë, ka të drejtë për llogari bankare, ka të drejtë të martohet, me lejen e prindërve. I japim gjithë këto përgjegjësi dhe pastaj i themi nuk ke të drejtë të zgjedhësh kush i harton ligjet”, tha Shabani.