Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me qytetarët e Korçës. Kujtojmë se Lulzim Basha garon kundrejt Gjergj Hanit për tu bërë kryetar i Partisë Demokratike. Zgjedhjet do të mbahen më 29 korrik.
Për sa i përket takimit që zhvilli sot me demokratët e Korçës, Basha ka shkruar në Facebook se vetëm listat e hapura dhe ndryshimet kushtetuese, mund të çlirojnë potencialin e vendit. Ai thekson se detyra e Partisë Demokratike është të bëhet gati sa më shpejt për ndryshimin e madh që duan shqiptarët.
Postimi i plotë i Bashës në Facebook
Detyra e Partisë Demokratike është të bëhet sa më shpejt gati për ndryshimin e madh që duan shqiptarët. Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, vitalizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike.
Kjo kërkon angazhimin e secilit prej nesh në zgjerimin e formacionit tonë politik me përfshirjen e të gjitha grupimeve shoqërore, e të rinjve dhe të rejave, që besojnë te demokracia dhe një partneritet i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe.
Të lirë nga hijet e së shkuarës, kemi përgjegjësinë të japim një model te ri në politikbërjen e vendit. Me Aleancën Qytetare për
Demokraci do çlirojmë ekonominë dhe do të çojmë përpara ndryshimet kushtetuese, që do të zhbëjnë marrëveshjen e 2008-ës, dhe do të mundësojmë listat e hapura, vetting-un e politikanëve, votën e emigrantëve, kufizimin e mandateteve.