Në vijim të garës për kreun e ri të Partisë Demokratike, kandidatët në garë po vijojnë fushatën, e cila do të përmbyllet në 29 korrik 2023 sipas parimit një anëtar një votë.
Lulzim Basha ishte sot në një takim me qytetarët e Divjakës ku i bëri me dije se PD po riorganizohet për të qenë në shërbim të shqiptarëve që nuk kanë besim te kjo qeveri dhe që kanë humbur besimin te Partia Demokratike.
Ai premtoi se PD do të modernizohet dhe do të jetë instrument i qytetarëve për të ndryshuar këtë sistem politik që nuk i përfaqëson më.
Basha tha se Aleanca Qytetare për Demokracinë do të formësojë një mazhorancë reformuese duke nisur me listat e hapura, vetting-un në politikë, kufizimin e mandateve dhe votën e diasporës.
“Me mbështetjen e demokratëve, përgjegjësia ime do të jetë, të shtrijë dorën e bashkëpunimit ndaj kujtdo që beson në këto vlera. Me këto transformime ne synojmë rritjen e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë,” – u shpreh Basha.