Shoqërimi i Valter Bamit për masakrën në Larushk, policia: Në dorën e majtë të tij janë gjetur gjurmë të qitjes me armë zjarri

Shqipëria

Shoqërimi i Valter Bamit për masakrën në Larushk, policia: Në dorën e majtë të tij janë gjetur gjurmë të qitjes me armë zjarri

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 00:28

Gjurma e barutit në dorën e majtë, e gjetur gjatë ekspertimit kimik ka çuar në shoqërimin e Valter Bamit mbrëmjen e sotme nga policia, në lidhje me masakrën e ndodhur në Larushk.

Policia bën me dije se ditën e sotme dalë edhe përgjigja e aktit të ekspertimit kimik. Sipas gazetarit të Panorama TV, Ervin Leka në dorën e majtë të Bamit, ka rezultuar se ka pasur gjurmë baruti.

Pas daljes së përgjigjes, policia ka lokalizuar Bamin në fshatin Greps të Niklës duke e shoqëruar atë në Policinë e Tiranës. Tashmë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

Nga plumbat në Larushk pak ditë më parë u vra me armë zjarri kunati i shënjestrës Gentjan Bejtja, Ramazan Sino dhe mbetën të plagosur dy djemtë e tij të mitur.

Njoftimi i policise

Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 03.07.2023, ku në fshatin Larushkë, Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit G. B., është qëlluar me armë zjarri e si pasojë ka humbur jetën shtetasi R. S. Rreth orës 04:00 të po kësaj date, është shoqëruar shtetasi V. B., 37 vjeç, të cilit i janë marrë faktorët plotësues dhe deklarim në lidhje me ngjarjen e mësipërme e më pas është lënë i lirë, ju informojmë se:

Sot me datë 06.07.2023, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të shtetasit V. B., janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri.

Mbi bazën e këtij akti ekspertimi, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lëshuar sot më datë 06.07.2023, urdhrin e ndalimit për këtë shtetas për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Po sot, rreth orës 20:30, në fshatin Greps, Nikël, është lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë shtetasi V. B., 37 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë.

Ndërkohë vazhdojnë intensivisht hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së mësipërme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat