Parku kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Në faqen e parkut bëhet me dije se në muajin që lamë pas pati një rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit që kaloi.
“Butrinti u vizitua nga 6,319 vizitorë më shumë se qershori i kaluar, ndërsa 6 mujori u rrit me 76 për qind ose 16,058 vizitorë më shumë se '22”, thuhet në faqen e parkut. Zemra e parkut kombëtar është qyteti antik i Butrintit, ekzistenca e të cilit vazhdoi pa ndërprerje, që prej periudhës së prehistorisë e deri në mesjetë, duke ofruar kështu një shumëllojshmëri kulturash dhe periudhash historike. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si monument kulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të kulturës së Shqipërisë. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Në parkun e Butrintit ka disa monumente, ndërmjet tyre përmendim kullën venedikase që daton në shekullin XVI, e cila së bashku me fortesën trekëndore që ndodhet matanë kanalit të Vivarit përdorej për ruajtjen e mjeteve të peshkimit, i cili ishte burimi kryesor ekonomik i Butrintit në atë kohë. Kulla është një ndërtesë katrore e drejtë me dy kate dhe me frëngji.
Teatri i Butrintit i daton shekullit IV-III p.e.s. Gjatë gërmimeve të viteve ‘30, në skenë u gjet një grup i madh skulpturash të cilat ishin në faza të ndryshme të thyerjes. Grupi i skulpturave përmbante portrete të Augustit, gruas së tij, Livias dhe gjeneralin e madh Mark Vipsan Agripa, fituesin e betejës së Aktiumit. Tek kodra e akropolit ndodhen rrënojat e një stoe helenistike, e cila ka pasur tre porta trapezoide me mensola. Gimnasiumi është një nga komplekset me enigmatike që daton në shekujt I-II- të. Pagëzimorja është një nga monumentet kryesore të Butrintit dhe një nga pagëzimoret më të mëdha dhe më të sofistikuara të kohës së vet në të gjithë Mesdheun.